E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësve në Kavajë i shtohen 7 akuza të reja

14/01/2010  Banda u shkatërrua në tetor 2009, pas vjedhjeve të shumta
Tetë personat ishin kthyer në tmerrin e zonës
KAVAJE- Një grupi prej 8 personash, që kishte si specialitet grabitjet në zonën e Kavajës, Golemit dhe Rrogozhinës, i janë shtuar edhe 7 raste të tjera vjedhje, të cilat prej muajsh hetoheshin nga policia e Kavajës. Anëtarët e këtij grupi që janë vëllezërit Elvis dhe Lulzim Kalaja, shtetasit Judjan Shametaj 19 vjeç, Gramos Shehaj 18 vjeç, Ilirian Mukaji 30 vjeç, Vllasi Furxhi 20 vjeç, Klodian Gabaj 30 vjeç dhe Beslinda Lile 20 vjeç, tashmë do të kenë mbi supe edhe 7 akuza të tjera, gjë e cila vështirëson pozitat e tyre në gjykatë. Sipas policisë së Kavajës, personat e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin në datën 14 tetor 2009, në fshatin Spille të rrethit Kavajë dyshohet se kanë realizuar me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi, duke marrë sendet elektroshtëpiake. Ndërkohë dy ditë pas kësaj ngjarjeje në zonën e plazhit Golem, kanë realizuar me thyerje vjedhjen e lokalit të një shtetasi, duke vjedhur një televizor plazma dhe disa shishe pije alkoolike. Ky grup kriminal me tendencë vjedhjet e banesave e të lokaleve të ndodhura në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Kavajës, tashmë ndodhen të arrestuar prej datës 21 tetor të vitit 2009, ku 7 prej anëtarëve janë me masën e sigurisë “arrest në Burg” ndërsa 20-vjeçarja Beslinda Lile me masë “arrest shtëpie”. Më 21 tetor 2009, këta shtetas janë kapur në flagrancë përgjatë autostradës Kavajë-Rrogozhinë, duke vjedhur karburant në makineritë e firmës “Saliallari”, e cila kryen punime për zgjerimin e rrugës në këtë segment. I njëjti grup rezulton si autor të vjedhjes së lokalit në pronësi të një vjedhje e ndodhur më datë 04 nëntor 2009 në fshatin Vile- Boshtovë të rrethit Kavajë, duke vjedhur të gjitha pajisjet e lokalit.
Grabitja e fundit
Më 11 janar 2010 kanë realizuar vjedhjen e një banese ku kanë marrë disa televizor plazma, një sërë pajisjesh hidraulike dhe kuzhine, artikuj të ndryshëm ushqimorë e të tjerë. Për të gjitha grabitjet Prokuroria e Kavajës ka ngritur akuzën e “vjedhjes” së kryer në bashkëpunim. Aktualisht po punohet për identifikimin e personave të tjerë, pasi mendohet se në përbërje të grupin janë të implikuar edhe shtetas që tashmë janë të lirë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›