E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy hackera vjedhin 150 milionë lekë

14/01/2010  Italianët ndërhynë 750 herë. Policia u sekuestron 250 karta të klonuara. Krim ishte i përsëritur
Në pranga Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino nga Genova. Grupi ka zhvatur edhe në shtete të tjera
TIRANE- Dy shtetas italianë janë arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi akuzohen për vjedhjen e shumave të mëdha financiare në bankomatet e bankës Intesa SanPaolo që operon prej disa vitesh në Shqipëri. Personat e ndaluar quhen Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino, të dy 25 vjeç nga qyteti i Genovas në Itali, të cilët prej 2 muajsh kishin hyrë në vendin tonë. Duke vënë në përdorim aftësitë e tyre kompjuterike, dy italianët kanë arritur të klonojnë me të dhëna të rreme rreth 250 karta, ku nëpërmjet tyre kanë grabitur në total 150 milionë lekë të vjetra. Policia ka dokumentuar mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 të mbetur në tentativë. Aktualisht hetimet janë përqendruar për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, pasi hetuesit kanë ngritur dyshime se italianët në këtë drejtim kanë punuar edhe me shtetas shqiptarë. Ndërkohë që dy të arrestuarit mendohet se kanë grabitur bankat në Kosovë, Maqedoni dhe Itali. Vjedhjet kryheshin në vende dhe kohë të ndryshme në mënyrë, që t’u shmangeshin syrit të efektivave të policisë. Me gjithë kujdesin e veçantë që i kushtonin grabitjeve të bankomateve, italianët nuk shpëtonin pa lënë gjurmë, pasi llogaritë bankare zbrazeshin në mënyrë të çuditshme, çka solli edhe dyshimet e administratorëve të bankës Intesa SanPaolo, të cilët denoncuan rastet në sektorin e Krimit-Ekonomik, që ndodhet pranë policisë së Tiranës. Këta të fundit kanë filluar menjëherë hetimet, ku nga informacionet operative të mbledhura në teren kanë arritur të bien në gjurmët e këtij grupi, që për ta ishte i njohur, pasi disa vite më parë kanë hetuar të njëjtin aktivitet kriminal të shtetasve Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino. Por për shkak se këta të fundit janë larguar nga Shqipëria, hetimet janë pezulluar. Pas grumbullimit të provave, është urdhëruar vënia në zbatim të operacionit të koduar “Pateraica”, ku rreth orës 01:00 të mëngjesit në ambientet e korridorit të kompleksit “Tajvan” është bërë ndalimi në flagrancë i dy italianëve të sipërcituar. Gjatë arrestimet ata nuk kanë kryer asnjë rezistencë ndaj policisë, të cilët i kanë transportuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë. Ndërkohë që për sigurimin e provave të mëtejshme agjentët e policisë kanë kryer një kontroll në dhomën e një hoteli luksoz në Tiranë, ku prej ditësh ishin akomoduar dy shtetasit italianë. Aty janë konstatuar një sasi prej 250 karta të klonuara, një laptop me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre si dhe pajisje të ndryshme.
Kontrolli në ambientet e hotelit
Policia gjen arsenal të tërë pajisjesh elektronike dhe karta
Brenda një dhome hoteli, dy shtetasit italianë Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino, kishin fshehur një arsenal të tërë me pajisje elektronike, të cilat shërbenin për ruajtjen e të dhënave kompjuterike si dhe klonimin e kartave të bankomateve. Gjatë kontrollit të imtësishëm të kësaj dhome, agjentët sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një kompjuter lap top që përmbante shumë informacionin, një pajisje elektronike “Memory card reader” që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23 000 eurosh, një shumë prej 200 000 lekësh të tërhequra nga ATM në Tiranë, një autoveturë e tipit “Chrysler”, ma targë TR 7726R, me ngjyrë të zezë, si dhe një dosje për kamuflimin e kartave plastike.
Jeta prej padroni në kryeqytet
Dy italianët, mes bllokut, lokaleve dhe prostitutave
Nëpërmjet grabitjeve të bankomateve, dy italianët kishin arritur të ndërtonin një jetë padroni, mes hoteleve luksoze të kryeqytetit dhe prostitutave të shumta në zonën e ish-bllokut. Një pjesë të vlerave të mëdha të parave që ata “fitonin” dyshohet se i dërgonin për llogari të familjeve të tyre në Genova të Italisë, ndërkohë që pjesa tjetër shkonte duke u konsumuar në pubet e bllokut, lokaleve të natës dhe prostitutat e ndryshme që qarkullojnë në Tiranë. Kjo gjë bëhet e ditur nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilët thanë se veç shumës së sekuestruar prej 23 mijë eurove dhe 2 milionë lekëve të vjetra italianëve Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino, nuk i është gjendur asnjë kacidhe në gjep. Pritet që sot ose nesër dy të arrestuarit të dalin para gjykatës për përcaktimin e masës së sigurisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›