E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i dhuron policisë 297 makina,90 prej tyre do shpërndahen në rrethe

14/01/2010  Dje u festua edhe 97-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit
TIRANE- Për 97-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, qeveria shqiptare ka menduar që t’i bëjë një surprizë asaj, duke i dhuruar plot 297 automjete të reja, të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e shërbimit të Policisë Rrugore dhe rendit në të gjithë territorin e vendit. Ceremonia e shpërndarjes së këtyre automjeteve është kryer në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”, ku të pranishëm kanë qenë zv/ministri i Brendshëm Avenir Peka, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues të tjerë të strukturave vendore të policisë. Gjatë fjalës së tyre, zv/ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit evidentuan faktin se është hera e parë që bëhet e mundur blerja e një sasie të tillë kaq të konsiderueshme automjetesh për Policinë e Shtetit. Po ashtu ata theksuan se të 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa ¼ e mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë. “Kjo sasi automjetesh do të ndikoje drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit”, theksoi Burgaj. 297 automjetet e shpërndara gjatë ditës së djeshme janë të destinuara për të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve në vend, kryesisht për strukturat e shërbimeve të Policisë së Rendit dhe Qarkullimit Rrugor. 90 nga automjetet e reja, të financuara nga buxheti i shtetit, u janë shpërndarë drejtorive të policive në qarqe për t’u vendosur në dispozicion të strukturave të shërbimit të Policisë Rrugore. Pjesa tjetër do të kalojë në shërbim të patrullave të përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Urimi i Burgajt
Meqenëse ceremonia e shpërndarjes së këtyre automjeteve përkon edhe me 97-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, uroi gjithë punonjësit e policisë dhe familjeve të punonjësve të rënë në krye të detyrës. Të gjitha automjetet e shpërndara gjatë ceremonisë së djeshme janë të uniformizuara, të pajisura me logot dhe të gjitha shenjat e Policisë së Shtetit. Ato i përkasin një cilësie tepër të lartë dhe janë të pajisura me të gjitha sistemet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›