Kosova sjell policët e saj për aksidentet në Shqipëri
Gjatë sezonit turistik, rrugët kryesore të Shqipërisë, kryesisht ato ku kalojnë turistët kosovarë, do të patrullohen nga punonjësit e policisë rrugore të Kosovës. Kjo është sanksionuar në një marrëveshje të nënshkruar nga ministrat e Brendshëm të të dyja vendeve në pikën e kalimit kufitar të Morinës në Kukës. Marrëveshja parashikon edhe lehtësimin e lëvizjes në kufi të shtetasve nga të dyja vendet. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Brendshme tha se shërbimet e policisë rrugore të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës do të patrullojnë së bashku në të gjitha akset kryesore rrugore gjatë sezonit turistik deri më 15 shtator 2010. Memorandumi i bashkëpunimit për këtë çështje u nënshkrua në Morinë, Kukës, nga drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë dhe Kosovës, në prani të ministrave të Brendshëm, Basha dhe Rexhepi. Ky është memorandumi i parë mes dy shteteve i këtij lloji, ku policia e Kosovës do të vihet në ndihmë të policisë shqiptare për të përballuar fluksin e turistëve dhe për të parandaluar aksidentet rrugore. Në bazë të këtij memorandumi, shërbimet policore rrugore të dy vendeve do të konsolidojnë edhe më tej bashkëpunimin gjatë sezonit turistik, për të kontrolluar sigurinë rrugore dhe parandaluar kundërvajtjet administrative në akset kryesore rrugore që lidhin të dyja vendet. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, theksoi në fjalën e tij se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të ofrojë jo vetëm një kontroll më të mirë të sigurisë rrugore dhe ulje të rrezikut në trafikun rrugor, por edhe një shërbim më cilësor për qytetarët. “Kjo marrëveshje do të përmirësojë më tej cilësinë e shërbimit, do të përmirësojë më tej transparencën e këtij shërbimi, duke ulur në minimum ankesat e qytetarëve dhe duke shtuar në maksimum sigurinë e lëvizjes së tyre dhe kënaqësinë e pranisë së tyre gjatë sezonit turistik në territorin e Republikë së Shqipërisë”, u shpreh ministri Basha. Duke falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për lehtësirat e ofruara për pushuesit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, u shpreh se me patrullimet e përbashkëta do të ngrihet cilësia, do të ndihmojë që të parandalohen incidentet dhe do të ndihet një siguri e një kënaqësi më e madhe e atyre pushuesve që vijnë në Shqipëri. “Patrullimet e përbashkëta të punonjësve të policisë rrugore të Shqipërisë dhe Kosovës do të organizohen e zbatohen sipas një plani të përbashkët masash dhe do të kryhen me mjetet e Policisë së Shtetit”, përfundoi Rexhepi. Patrullimet e përbashkëta të trafikut rrugor nisën dje, menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit.
#