E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirro Misha: “Katrahura e tregut të librit shqiptar”

Intervistë/ Flet studiuesi dhe botuesi Pirro Misha

Petrika GROSI
Në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetën “Albania”, botuesi dhe studiuesi Pirro Misha flet mbi problemet aktuale të librit në Shqipëri, por edhe të botimeve të tjera në trevat shqipfolëse jashtë kufijve. Ndër problemet kryesore që thekson Misha janë mungesa e statistikave të sakta mbi botimet, mungesa e seriozitetit të çmimeve letrare dhe e politikave reale në fushën e botimeve, larg retorikës dhe propagandës qeveritare.

Z. Misha, si ju është dukur Panairi i sivjetshëm?
Sa u takon vizitorëve ka qenë mirë, edhe organizimi. Përveç faktit që mungonin krejt statistikat e botimeve të reja, panairi nuk ka qenë keq. Është një panair që jep një pasqyrë të botimeve shqiptare me pluset dhe minuset e tyre. Theksoj faktin se jemi i vetmi vend në botë, ku nuk interesohet askush që të nxjerrë statistika sesa libra botohen, të ç’lloji janë, sa lexohen, etj. Në çdo vend të botës është detyrim publikimi i tirazheve dhe statistikave të tjera, ndryshe nuk ka se si një sektor si i librit të zhvillohet. Shteti shqiptar ka një ministri Kulture që ka një zyrë libri, e cila mbahet nga taksat tona. Kjo zyrë duhet të dijë se ç’libra botohen në treg, sa prej tyre shiten dhe për çfarë njerëzit kanë nevojë, në mënyrë që të hartohen më pas politikat e zhvillimit kombëtar. Jemi njësoj si në vitin 1991. Shteti, me një eufori propagandistike, nuk çan kokë se çfarë ndodh me librin. Shteti duhet të nxjerrë konkluzionet që në vende të tjera i nxjerrin institutet e statistikave. Te ne ka përpjekje mjaft të lavdërueshme nga botues të veçantë, ndërkohë kemi dhe një gjendje që është e domosdoshme të nxirren të dhëna të sakta në bazë faktesh. Sa libra të rinj kemi pasur në këtë panair? Askush nuk e di. Gjithmonë lëshohen shifra badiava, por asnjeri nuk më ka pyetur mua sesa libra të rinj nxorra. Kjo është situata. Nuk pretendoj të arrijmë nivelet ku është Perëndimi, por së paku të jemi aty ku është Maqedonia. Kemi një Ministri Kulture që nuk kryen detyrat e saj të shtëpisë.

Shpesh, shkrimtarët e Kosovës dhe të Maqedonisë i dëgjojmë të ankohen se letërsia e tyre nuk hyn në Shqipëri. Si e shikoni ju këtë fakt?
Është një problem serioz për të cilin duhet menduar mirë dhe jo thjesht për retorikë patriotike, por sepse një gjë e tillë është domosdoshmëri. Jemi një popull i vogël dhe gjuha shqipe ka një numër folësish relativisht të vogël. Që të ekzistojë dhe mbijetojë tregu i librit në këto rrethana, për më tepër kur lexuesit janë rrudhur, duhet të shfrytëzojmë të gjithë potencialin e mundshëm. Ka shumë pak informim, shumë pak koordinim dhe, për më tepër, vihen pengesa siç është TVSH-ja që u vu në kufi me Kosovën. Një libër nga Kosova vjen automatikisht 20 për qind e vlerës më shtrenjtë në tregun e Shqipërisë. Për interesa të ngushta të disa shtypshkronjave u bë një akt, i cili do të ketë pasoja. Më parë ia vinim fajin serbit, tani që nuk është më ai fajin e kemi vetë. Kjo që ndodh është absurde. Ne nuk dimë sot se çfarë botohet në Kosovë. Jemi dy ishuj shqiptarë që bëjmë vetëm retorikë dhe asgjë reale. Që botuesit të mbijetojnë dhe të zhvillohen, duhet t’i shesin librat e tyre në tregun e Kosovës, por edhe në atë të Maqedonisë e të Shqipërisë.

Meqenëse jemi në fushën e botimeve, si e keni pritur atë më të fundit, i cili e zbeh disi figurën e Skënderbeut?
Nuk e kam lexuar, por më duket spekulim. Prej një periudhe të caktuar kohore ekziston një përpjekje nga një grup njerëzish, të cilët kanë për qëllim denigrimin e figurës së Skënderbeut. Këto lëvizje bëhen me qëllime politike nga pas. Kujtojmë këtu librat e Isumedin Ferrajt, Hamdi Baletës, Milasim Krasniqit, etj. Në rastin e Oliver Shmit nuk kemi të bëjmë me të tillë sharlatanë, por me një studiues serioz, i cili ka hedhur tezën e vet që gjithsesi nuk është e thënë të merret si e mirëqenë. Ne nuk duhet të mahnitemi si provincialë se doli një fakt dhe kjo na qenka e vërteta absolute. Skënderbeu është një urë në botën e historisë, mbi të cilën ngrihet identiteti ynë. Padyshim, njohja e së vërtetës shkencore është diçka e mirë, por prirja për çmitizim më duket absurde. Çdo popull në botë ka mitet dhe simbolet e tij. Shkenca hulumton përtej mitit, por shpesh herë këtu krijohen stuhi dhe zhurma të kota. Nuk do të thotë se kjo është e vërteta mbi Skënderbeun dhe se këto dokumente janë të sakta. Shtypi e fryu më tepër se ç’duhej këtë punë pasi nuk ka sensacione. Mbi tezat e kthimit të Skënderbeut në Shqipëri, një variant është hedhur e debatuar që në vitet ’60 nga një historian i njohur turk. Pra nuk është se po del ndonjë çudi tani.

Le të kalojmë te ndarja e çmimeve të Panairit. Keni ndonjë koment?
Me gjithë respektin dhe dashamirësinë që kam për Visar Zhitin, mendoj se shkrimtari i vitit duhej të ishte Ben Blushi. Në çdo vend të botës këto lloj çmimesh i jepen librit që ka shënuar një ngjarje, duke tërhequr vëmendjen më të madhe të tregut, mediave, lexuesit dhe kritikës. Në këtë aspekt, çmimin e meritonte Ben Blushi, ndërsa nëse do të qe çmim karriere nuk do të thosha gjë për Visar Zhitin. Unë kam subjektivizmin tim, por mendoj se çmime të kësaj natyre duhet t’i jepen atij botimi që shënon ngjarjen e vitit. Pastaj, çmime të tilla jepen edhe në varësi të interesave të botuesve që duan të promovojnë veprat dhe autorët e tyre. Ben Blushi është padyshim ndër autorët më të debatuar dhe ka librin më të shitur në këto vite. Problemi në dhënien e çmimeve qëndron te mospërputhja e titujve të tyre me kriteret. Megjithatë, e rëndësishme është që çmimin e mori një figurë e shquar e letërsisë sonë.

Teksa në Shqipëri kritika mungon, ose është e cunguar, klanore e sporadike, e vetmja mënyrë për të orientuar lexuesin drejt një botimi të mirë janë çmimet letrare. ǒdo të thoshit lidhur me konkurset që zhvillohen?
Le ta nisim me konkursin më të rëndësishëm letrar kombëtar që zhvillon përvit Ministria e Kulturës. Pa më thoni, a ka sot ndonjë vend në botë ku ministria vazhdon të vlerësojë letrarët dhe të japë çmime?! Kemi mbetur ende me metodat komuniste, ku komisione të politizuara japin çmime për të preferuarit e tyre. Ka një rregull në çdo vend të botës për çmimet. Çmimet vërtet shërbejnë për publicitet, por në Shqipëri nuk e gëzojnë realisht vlerën e tyre. Nuk ka vend në botë që të ngrihet ministri i Kulturës e të caktojë juri dhe pastaj të shpallen shkrimtarët më të mirë të politizuar. Lexuesi ka nisur t’i shpërfillë këto çmime që jepen nëpër klane të caktuara. Në çdo vend të botës, një çmim i rëndësishëm nënkupton një shumëfishim të shitjes së veprës, kjo sepse çmimi e ka një peshë dhe është i pranueshëm nga opinioni publik. Të mos harrojmë se deri para marrjes të çmimit “Man booker Prize”, Ismail Kadare nuk ishte shumë i njohur në botën anglishtfolëse. Mungesa e çmimeve serioze është një fatkeqësi për lexuesin shqiptar, i cili ka nevojë të orientohet drejt vlerave.

Pra, në tregun shqiptar kemi një katrahurë botimesh dhe vlerash të dyshimta?
Pikërisht, problemi kryesor qëndron në mungesën e informimit. Nuk ka asnjë mundësi që të merret vesh se çfarë librash janë botuar dhe çfarë kritikash ka për to. Mungon një inventar dhe natyrisht në këtë gjendje nuk mund të nxirren as konkluzione e as të hartohen politika. Konkluzionet nuk mund të nxirren me perceptime, ide dhe me përshtypje. Ministri i Kulturës dhe kryeministri kanë folur mjaft për mbështetje ndaj librit. Shpresoj vërtet që nga retorika të bëhen hapa konkretë duke dhënë fonde për bibliotekat. Lexuesi shqiptar është shumë i varfër dhe orientimi kryesor për të mbetet drejt bibliotekave publike, të cilat, për fat të keq, i kemi krejt të shpërfillura.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›