Jeremiç: “Mbledhja e KS-së për Kosovën, të hënën ose të martën”
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën do të mbahet të hënën ose të martën. Lajmi u bë i ditur nga shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, në një intervistë për agjencinë serbe “B92”. Jeremiç po ashtu ka thënë se Serbia ka marrë garanci se plani gjashtëpikësh i OKB-së nuk do të ndryshojë, edhe pse Prishtina nuk ka rënë dakord. Ministri është shprehur se ekziston një marrëveshje mes Serbisë dhe Kombeve të Bashkuara, e cila, sipas tij, është mbështetur nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate dhe ka shtuar se kjo marrëveshje do të rikonfirmohet njëzëri. Shefi i diplomacisë së BE-së, Havier Solana, sot pritet të bisedojë me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, rreth vendosjes së misionit EULEX në fillim të dhjetorit në Kosovë. Zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Brendon Varma, ka thënë se mund të ndodhë që deri në fund të javës të publikohet raporti i sekretarit Ban Ki Mun për Kosovën, respektivisht, për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe vendosjen e EULEX-it.
Shtëpia e Bardhë mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO
Edhe pse e zhgënjyer me ecurinë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, zëdhënësja Dana Perino ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë dhe administrata e presidentit Bush mendon se Maqedonia meriton të anëtarësohet në aleancë dhe SHBA-të do të vazhdojnë të punojë në këtë drejtim. Maqedonia e ka hedhur Greqinë në gjyq në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për shkeljen e marrëveshjes për të mos bllokuar hyrjen e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare. Në bazë të marrëveshjes së vitit 1995, Greqia premtoi se nuk do të pengonte përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim nëse ajo e paraqiste kërkesën e saj nën emrin Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë. Në muajin prill të këtij viti Greqia i vuri veton ftesës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Athina thotë se Maqedonia e shkeli marrëveshjen e vitit 1995 duke përdorur simbole greke në harta dhe në Aeroportin e Shkupit.
21 Nentor 2008