E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia nuk do ta njohë Kosovën “në një të ardhme të afërt”



Ambasadori i Greqisë në Beograd, Kristos Panagulos, ka deklaruar se Ministria e Jashtme e Greqisë nuk do ta njohë Kosovën dhe në politikën e qeverisë greke ndaj çështjes së Kosovës nuk ka ndryshime. Ai ka bërë të ditur për mediat serbe se një deklaratë e shefes së diplomacisë greke, Dora Bakojanis, është keqinterpretuar. “Dëshiroj të theksoj se bëhet fjalë për interpretimin e gabuar të asaj që ministrja Bakojanis ka thënë në një konferencën për shtyp dhe që e kanë transmetuar mediat shqiptare. Gjithashtu transmetoj qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme se, në pajtim me respektimin e parimeve të integritetit territorial, nuk do të ketë njohje të Kosovës”,- ka deklaruar ambasadori grek. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë, por e di se ne Kosovën nuk do ta njohim në një të ardhme të afërt”,- ka sqaruar ambasadori grek në Beograd.

Shpërthimi në Prishtinë, arrestohen 3 gjermanë

Autoritetet e sigurisë në Prishtinë kanë njoftuar se kanë arrestuar tre shtetas gjermanë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me shpërthimin pranë Zyrës Ndërkombëtare Civile në Prishtinë mbrëmjen e 14 nëntorit. Në një njoftim publik, Policia e Kosovës ka bërë të ditur arrestimin e tre shtetasve gjermanë, por nuk bën të ditur identitetet e tyre. Në komunikatë thuhet gjithashtu se të arrestuarit akuzohen për shkaktim të rrezikut në masë dhe policia po heton intensivisht për këtë rast. Ndërkohë, policia shprehet e bindur se prapa shpërthimit qëndrojnë shtetas të huaj.
Shpërthimi ndodhi rreth një javë më parë, në afërsi të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë dhe si pasojë e tij nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi e kanë quajtur shpërthimin vepër të armiqve të Kosovës, duke rikonfirmuar miqësinë e popullit të Kosovës me BE-në dhe me Perëndimin në përgjithësi.

Sejdiu dhe Thaçi në Londër për planin e Ban Ki Munit

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ndodhen në Londër për një vizitë zyrtare dhe janë takuar me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Gordon Braun dhe me ministrin e Jashtëm, Dejvid Miliband. Një ndër temat e bisedimeve në Londër ishte përgjigjja e lidershipit kosovar ndaj planit 6-pikësh të Ban Ki Munit. Udhëheqësit kosovarë e kanë hedhur poshtë planin e Kombeve të Bashkuara dhe kanë dalë me një dokument prej 4 pikash. Presidenti Fatmir Sejdiu, para nisjes drejt Londrës, tha se pala kosovare ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje. “Ne do të punojmë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare për ta implementuar këtë projekt të rëndësishëm që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, në ndihmë të institucioneve të Kosovës. Ashtu siç është parë, ne kemi qëndrimin tonë, qëndrim shumë i drejtë dhe natyrisht të ecim drejt kthimit të Kosovës drejt zhvillimeve të reja, që të jetë vend i të gjithë qytetarëve”.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›