Berisha: Rama, udhëheqës pa brekë
ADI SHKEMBI
Një ditë pas mitingut të 8 dhjetorit, kryeministri Sali Berisha akuzon sërish ashpër kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Duke falënderuar qytetarët që ishin të pranishëm në sheshin “Skënderbej” kreu i qeverisë tha në një konferencë të posaçme për shtyp se shumë prej të pranishmëve ishin të irrituar sot pas 19 vjetësh nga sjellja e kreu të PS-së Edi Rama. “Unë jam i vetëdijshëm se në Sheshin “Skënderbej” nuk ishin të paktë, madje të shumtë, që ndjeheshin të lënduar, ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot pas 19 vitesh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj”, tha Berisha. “Pse kjo? Absolutisht fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithat qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të lira të botës. Por votën tuaj nuk mund ta njohë një njeri, i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, i mohoi kafshatën fëmijës së tij”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Kryeministri tha para mediave se prej dy vitesh familja e tij është sulmuar ashpër nga kreu i PS-së, megjithëse, sipas kreut të maxhorancës, Rama nuk ka sjellë asnjë provë për shkelje të ligjit nga familjarët e Berishës. Duke iu rikthyer mitingut, kreu i ekzekutivit theksoi se në shesh për të kujtuar 8 dhjetorin ishin rreth 500 mijë qytetarë. “Ne u bashkuam në shesh me gjysmë milioni qytetarë, si kurrë ndonjëherë, me ndjenjën e thellë të besimit të asaj që realizuam 19 vite më parë, të asaj që studentët liberatorë, të udhëhequr nga Azem Hajdari, realizuan më 8 dhjetor të viti 1990”, tha kryeministri. Kreu i ekzekutivit ka akuzuar Ramën edhe gjatë fjalimit të mbajtur në Kongresin Statutor të Partive Popullore Evropiane në Bon të Gjermanisë. “Lideri i opozitës nuk festoi, ai që përkrah bojkotin për shkak të lidhjeve të tij familjare, duke dëshmuar kështu se rrëzimin e Murit të Berlinit e përjeton si një tragjedi familjare e politike të tij dhe të grupit që përfaqëson”, u shpreh Berisha.