Korçë, volejbollisti Shahu merrte kurim për depresion
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
Ish-kampioni i volejbollit të skuadrës së Skënderbeut, Albert Shahu i dha fund jetës pas një gjendjeje të rëndë depresive. Në këtë rezultat doli grupi që hetoi ngjarjen e vetëvarjes së 46- vjeçarit Shahu në banesën e tij. "Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Albert Shahu, banor i lagjes 15 në qytetin e Korçës vuante nga depresioni prej një viti dhe merrte mjekime për këtë problem në shëndetin e tij mendor", bëri të ditur dje policia e Korçës. Miqtë e ish-volejbollistit e përshkruajnë Albert Shahun si një person të qetë dhe të heshtur. Mësohet se ditën që kreu aktin tragjik të vetëvarjes brenda në apartamentin e tij, Shahu, nuk ka zhvilluar të gjitha orët e mësimit që kishte në program. Sipas policisë, të mërkurën mësuesi i fizkulturës në shkollën e mesme "Raqi Qirinxhi" ka kryer me nxënësit vetëm orën e pestë. Ai është larguar në banesën e tij pa marrë leje apo dhënë ndonjë shpjegim në shkollë, duke mos kryer orën e gjashtë dhe të shtatë të fizkulturës me gjimnazistët. Bashkëshortja e tij, Mimoza, edhe ajo volejbolliste dhe mësuese e fizkulturës, ka qenë ndërkaq në proces mësimor. Edhe dy vajzat e viktimës kanë qenë në shkollë, në momentin që 46-vjeçari ka shkuar në shtëpi. Burime pranë familjes Shahu u shprehën se gruaja e Albertit i kishte telefonuar vazhdimisht rreth mesditës bashkëshortit të saj, por nuk ka marrë përgjigje. Kontakti telefonik që gruaja ka dashur të ketë me bashkëshortin, mendohet se ka ardhur si interesim i saj pikërisht për gjendjen depresive, që po kalonte kohët e fundit Albert Shahu. Thirrjet pa përgjigje në telefon kanë ngritur dyshime tek bashkëshortja e tij. Ajo i është drejtuar më pas banesës për të verifikuar nëse ishte kthyer apo jo i shoqi nga mësimi. Ka qenë pikërisht gruaja ajo që është ndeshur e para me pamjen tronditëse të vetëvarjes së Albert Shahut brenda në apartamentin e tij. Tepër e tronditur nga pamja shokuese, ajo ka vënë në alarm policinë. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës, duke përjashtuar kështu tërësisht versionin e një krimi të mundshëm ndaj ish-volejbollistit të njohur. Ky rast tragjik është nga ata që kanë shkaktuar tronditje në opinionin korçar për vetë emrin e mirë si sportist dhe si trajner që krijoi Albert Shahu gjatë karrierës së tij. Vetëm pak ditë më parë Shahu ishte kthyer nga Rumania, ku kishte qenë për një vizitë disaditore me një klasë të shkollës së mesme "Raqi Qirinxhi". Gjatë tre ditëve të fundit të jetës së tij, Shahu kishte shfaqur sërish qëndrimin e tij të heshtur. Për trajtimin mjekësor për shkak të depresionit ka pasur dijeni vetëm familja e tij. Albert Shahu i përket një brezi të talentuar volejbollistësh të viteve 1980-të në qytetin e Korçës si Robert Damo, Tomi Balli, Jovan Melka, Pandush Kapedani etj., të cilët e ngritën në majat më të larta të rezultateve volejbollin korçar të meshkujve. Shahu, përkushtimin e tij ndaj sportit, ndryshe nga volejbollistët e tjerë e vazhdoi edhe si trajner.