E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, zbor 10-ditor në Turqi

 

Antalia e Turqisë do të jetë "rezidenca dimërore" të ekipit Kombëtar. Federata shqiptare dhe trajneri Kuzhe kanë programuar një zbor 10 ditor, i cili do të nisë, më 4 janar 2010. Grumbullimi i fundit e Kombëtares (B) në zborin e Antalias i përket trajnerit Ari Han, ku edhe u zhvillua një miqësore me skuadrën nga Kazikastani, Kazaskin të mbyllur në barazim 2-2 (dy gola të Migen Memellit për kuqezinjtë) në janar 2008. Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ndodhet prej disa ditësh në Tiranë, së fundi asistoi në ndeshjen Tirana-Lushnja për Kupën e Shqipërisë të zhvilluar në "Selman Stërmasi". Ndryshe nga paraardhësit e tij, Kuzhe, e ka shfaqur veten si një njohës të mirë të kampionatit shqiptar, pasi të paktën kroati mund të ketë ndjekur në stadiumet e Superligës mbi dhjetë ndeshje. Lista do të përbëhet nga lojtarë të rinj të Kombëtares A, por edhe nga më të spikaturit e ekipit Kombëtar U-21, por dhe disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar (deri në moshën 25 vjeç).  Por në fakt, Antalia nuk do të jetë "fusha" e vetme e grumbullimeve të ekipeve Kombëtare, pasi në Greqi pritet të zhvillohet një tjetër zbor fubollistik, i organizuar nga zyra e talenteve të federatës në Greqi me drejtues Vangjel Çavon. Grumbullimi do të nisë, më 21-23 dhjetor dhe në të do të thirren vetëm futbollistët e datëlindjes 1994-1995, pra të moshës 15-16 vjeçarë, apo U-17. Dy trajnerët e U-15 dhe U-17, Sulejman Demollari dhe Ardian Mema, do të jenë specialistët e FSHF-së në grumbullimin e parë në Greqi, për të spikatur elementët e duhur që mund të përfshihen direkt në përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. Lojtari i fundit që ka ardhur në Kombëtaren shqiptare U-21, si zbulimi i Zyrës së Talenteve në Greqi, është talenti i Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj (i aktivizuar në ndeshjen kundër Bjellorusisë U-21).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›