Pisha dhe Çarls humbin sezonin
Zënka mes Arjan Pishës dhe Çarls Ofojen nuk është mbyllur vetëm me një karton të kuq për secilin, por është shoqëruar me pasoja të rënda ndaj tyre. Komisioni i Disiplinës dje, pasi ka shqyrtuar atë çka ndodhi në javën e 22-të në ndeshjen Tirana-Tomori, mori një vendim tjetër ndaj lojtarëve. Të dy qendërmbrojtësit humbasin sezonin, pasi kanë marrë një pezullim prej tri javësh, aq ndeshje sa kanë mbetur nga ky vit futbollistik. Përpos kësaj pjese, ata kanë marrë edhe nga një gjobë të majmë, pas shkelmave dhe grushteve të mbetura në tentativë, përkatësisht nga 1 milion lekë të vjetër. Kësisoj, as Pisha e Çarls nuk do të jenë në dispozicion të Rubios e Gjokës për takimet e mbetura të këtij sezoni. Përveç pezullimit, lojtarët janë gjobitur edhe me 100.000 lekë. Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës i ka rikthyer tri pikët e hequra javën e shkuar Naftëtarit, duke e rikthyer kësisoj skuadrën kuçovare në garë për tu ngjitur një kategori më lart. Faktikisht, është i njëjti komision që, pas paraqitjes së provave të klubit, ka revokuar vendimin e marrë. Bazuar në provat e paraqitura rezultoi se lojtari i KF Naftëtari, Samet Gjoka, nuk kishte marrë karton të verdhë në ndeshjen me KF Albpetrol, shkak për të cilin u dha edhe dënimi. Ndërkohë është dënuar sërish edhe KF Skrapari, për mosparaqitje në ndeshjen me Kukësin, me minus tri pikë të tjera në renditje dhe me humbje të ndeshjes 3-0 në tavolinë.