E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atl.Madrid-At.Bilbao, derb spanjoll në finalen e Ligës së Europës

Atletik Bilbao dhe Atletiko e Madridit janë dy finalistet e Ligës së Europës. Baskët e Bilbaos arritën të eliminonin mbrëmë të vetmen skuadër jo-spanjolle të këtyre gjysmëfinaleve, Sportingun e Lisbonës, duke kthyer rezultatin 2-1 të ndeshjes së parë. Kështu, në minutën e 17-të, ishte Laskurain që shënoi për vendësit, por në fundin e pjesës së parë holandezi Volfsvinkel arriti të barazojë. Ndërkohë, pa u mbyllur ende kjo pjesë, në shtesë ishte Gomez që kaloi sërish në avantazh vendësit. Kur po i afrohej fundit të takimit dhe u duk sikur do shkohej te koha shtesë, Lorente shënoi edhe golin e kualifikimit. Ndërsa në ndeshjen tjetër, Atletiko e Madridit fitoi edhe në Valencia 1-0 (ndeshja e parë 4-2 për madrilenët), falë golit të Adrian (60). Duhet thënë se Atletiko e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi në minutën e 79-të Tiago doli me karton të kuq, por kjo nuk ndikoi në lojën e miqve, edhe për faktin se vendësit u dorëzuan pas pësimit të golit.

Guardiola zyrtarizon sot dorëheqjen
Barcelona ka humbur luftën për titull kundër Realit të Madridit dhe finalen e Mynihut në Champions përballë Çelsit dhe për këtë sezon i ka mbetur vetëm finalja e Kupës së Mbretit kundër Atletik Bilbaos për të festuar diçka. Gjithsesi, trajneri katalanas, pas 3 vitesh fantastike në të cilat fitoi 13 nga 16 titujt e mundshëm, duket se nuk e ka kapërdirë këtë dështim dhe po mendon se epoka e tij në Barcelonë ka përfunduar. Nga burime pranë klubit katalanas theksohet se Guardiola e ka marrë tashmë vendimin e tij për të dorëzuar stolin e Barcelonës pas 25 majit, kur do të luajë finalen e Kupës së Mbretit. Dje, presidenti Sandro Rosell dhe drejtori sportiv, Andoni Zubizarreta, kanë pasur një vizitë 4-orëshe në shtëpinë e Pep Guardiolës, për të tentuar ta bindin trajnerin të qëndrojë. Ata i kanë ofruar Guardiolës çek të bardhë për pagën që kërkon të ketë në kontratën e re. Por, pavarësisht ofertës tunduese, tekniku 41-vjeçar është i vendosur të tërhiqet dhe tia dorëzojë pankinën pasardhësit të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›