E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Guardiola, udhëheq Vilanova

Pep Guardiola do të largohet nga posti i trajnerit të Barcelonës në fund të sezonit. 41 vjeçari ka vendosur të mos e vazhdoj kontratën e tij me klubin dhe thotë se është koha të largohet. Ai do të zëvendësohet nga asistenti i tanishëm, Tito Vilanova. Guardiola braktis gjigantin katalan si trajneri më i suksesshëm në histori të klubit.

Pep Guardiola do të largohet nga posti i trajnerit të Barcelonës në fund të sezonit pas vendimit për të mos e vazhduar kontratën e tij me klubin. 41 vjeçari, i cili ishte emëruar në detyrë më 2008 dhe ka udhëhequr gjigantin katalan drejt 13 trofeve, do të zëvendësohet nga asistenti i tij, Tito Vilanova.

Barcelona është shumë pranë humbjes së titullit në La Liga nga Real Madridi, kurse në mesjavë u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Chelsea.

“Arsyeja është e thjesht: katër vite janë mjaft. Jam shter, dhe më duhet të mbushem. Kërkesat kanë qenë shumë të mëdha dhe trajneri duhet të jetë gjithmonë i fuqishëm”, tha Guardiola në konferencë për shtyp.

Sipas medieve spanjolle, ish reprezentuesi spanjoll do të pushojë për një vit nga futbolli pas dorëzimit të detyrës së tij te Vilanova.

“Në fillim të dhjetorit kam njoftuar kryetarin se ky është viti im i fundit në Barcelonë. Koha e ka bërë të veten, Zgjohem çdo ditë dhe nuk ndihem njësoj. Largohem me besimin se kam kryer me sukses detyrën time. Ju mund të rikuperoheni vetëm duke pushuar dhe tërhequr nga gjithçka. Do të kishte qenë ide e keqe të vazhdoj. Ndoshta nuk do të kishte shkuar keq por kisha parandjenjë se po. Është koha të largohem. Tani që jemi jashtë nga dy garat kryesore është momenti për ta dhënë këtë lajm. Nuk desha të vazhdoj me konfuzion. Dua ti falënderohem futbollistëve të mi që janë përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur këtu”, u shpreh ai.

Guardiola u duartrokit nga shumë prej futbollistëve të tij përfshirë kapitenin Carles Puyol, Xavi, Andres Iniesta dhe Cesc Fabregas të cilët ishin prezent në konferencë për shtyp dhe dukeshin të mërzitur për largimin e trajnerit të tyre. Vilanova nuk ishte në mesin e favoritëve për të zëvendësuar Guardiolën pasi u bë i ditur lajmi për largimin e tij.

Por, drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta tha: “Ne gjithmonë kemi thënë se kur skuadra ka nevojë për futbollistë, ne shikojmë së pari në shtëpi. Çka kemi këtu në shtëpi? Titon. Ne e kemi zgjedhur atë sepse përfaqëson idenë dhe imazhin e Barcelonës. Ai ka përkushtim dhe personalitet”.

Guardiola shtoi: “Barca ka bërë zgjedhje të mirë. Ai është shumë i aftë. Futbollistët e njohin atë. Edhe pse nuk do të jem këtu fizikisht, nëse Tito ka nevojë për mua, do të jem këtu”.

Guardiola është trajneri më i suksesshëm në histori të Barcelonës, me tre tituj në ligë, dy Liga të Kampionëve dhe një Copa del Rey. Ai ka përcjell zhvillimin e tre herë fituesit të Topit të Artë, Lionel Messi, mesfushorëve Xavi dhe Iniesta si dhe përforcimit Fabregas të ardhur verën e shkuar nga Arsenali.

Guardiola ishte jashtëzakonisht i afërt me Messin të cilin e përshkroi si “më të mirin në histori”, derisa argjentinasi sugjeroi se Guardiola ishte faktori kryesor prapa suksesit të Barcelonës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›