Pishinat e mbipopulluara gjatë pasditës, inspektorët: Gjoba përgjegjësve
—-Nga Julian Hoxhaj—-
Elbasan- Afrimi i sezonit të plazhit ka bërë që drejtoria e shëndetit publik në Elbasan të nisë kontollin dhe analizat bakterologjike në pishinat që frekuentohen nga qytetarët e Elbasanit.
Kjo drejtori po kryen çdo dy javë analizat e ujit, për nivelin e ndotjes, për kushtet e filtrimit si dhe për numrin e personave që duhet të ketë baseni i pishinës për m2.
Sipas shefes së higjenës pranë drejtorisë së shendetit publik në Elbasan, Vilma Stërkeshi deri më tani nuk janë vënë re probleme serioze. Por ajo theksoi se problemi kryesor në pishina mbetet mbipopulli në orët e mbasdites, ku sipas ligjit duhet që çdo individ në basenin e një pishine të ketë jo më pak se 3m2 në dispozicion për tu larë, gjë për të cilën Stërkeshi tha se po mundohemi që bashkë me administratorët e pishinave ta vënë në zbatim.
Ajo tha se punonjësit e higjenës kryejnë analizat bakterologjike të ujit çdo 2 javë, ku kërkohet që uji i pishinave të jetë në të njëtin standard me ujin e pijshëm. Stërkeshi tha se 6 pishinat që janë në qytetin e Elbasanit, janë të monitoruara dhe nën kontrollin e specialistëve.
E pyetur nga Gazeta IDEA për raste të shkeljes së rregullave dhe masat administrative që merren ndaj pronarëve apo administratorëve të pishinave, Vilma Stërkeshi tha se deri tani nuk janë kapur raste me shkelje. Ndërsa sa i përket rasteve të gjobave ajo tha se gjobiten përgjegjësit e pishinës në rastet kur ata nuk raportojnë për problemet që kanë pishinat. Gjobat variojnë nga 50 mijë lekë deri në 5oo mijë lekë të reja.