E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, McCormack: Problem numërimi i votave. KQZ-ja duhet e plotë

Conny-McCormackTiranë- Shefja e misonit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 23 qershorit, Conny McCormack në një intervistë për median gjermane ‘Deutsche Welle’ e pyetur se kush do ti fitojë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, shprehet se rezultati varet edhe nga procesi i numërimit të votave.

DW: Znj. McCormack, zbatim i kuadrit ligjor të Shqipërisë për zgjedhje demokratike, është një nga drejtimet e vëzhgimit të misionit të OSBE/ODIHR-it, të drejtuar prej jush për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. A janë zbatuar ligjet deri tani? Mund të ilustroni opinionin tuaj me gjetjet nga misioni vëzhgues?

Conny McCormack: Ne vëzhgojmë kuadrin ligjor në tërësi, cilat ligje po zbatohen që procesi zgjedhor të funksionojë si dhe sa zbatohet ligji në vendimet e Kolegjit Zgjedhor. P.sh. në rastin kur KQZ nuk ishte i aftë të merrte vendimin për numrin e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, atëhere këtë vendim e mori vetë Kolegji Zgjedhor. Ndërkohë ligji thotë që Kolegji Zgjedhor duhej t’i kërkonte përsëri KQZ ta merrte ai vendimin. Ky rast si edhe të tjera, që janë paraqitur në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it, tregojnë se specifikat e ligjit në disa nivele ose tejkalohen ose nuk zbatohen në përputhje me atë që thotë ligji. Çështje të tjera, si pjesë e kuadrit ligjor, janë ato lidhur me fushatën elektorale: ka një lloj mjegullimi të kufinjve, të përcaktuara me ligj, në marrdhëniet mes politikes dhe shtetit. Kuadri ligjor përfshin të gjitha aspektet e zgjedhjeve. Në pjesën e tyre më të madhe, në përgjithësi, ato po ecin mirë. Por ka disa që nuk ecin dhe mendoj që disa herë njerëzit përqëndrohen pikërisht tek ato, por nuk duhet humbur pamja si një e tërë , peisazhi në tërësi, pasi ajo ka rëndësi në kuptimin e procesit. Kur misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it të bëjë vlerësimin përfundimtar do të shikojë pikërisht gjithë pamjen. Në këtë pamje ka shumë rëndësi numërimi i votave, sa transparent, i saktë dhe i ndershëm është numërimi. Ka disa aspekte lidhur me numërimin e votave që mendojmë se duhen riparë dhe që ne do t’i bëjmë të njohura në vijim të punës sonë.

DW: Pra, kuadri ligjor për zgjedhjet në përgjithësi po zbatohet?

Conny McCormack: Po përsëris që zbatimi i ligjit është një punë jashtëzakonisht e madhe. Në kuptimin e çuarjes para të procesit zgjedhor ka disa afate ligjore që nuk janë respektuar dhe kjo nuk është në përputhje me ligjin. Por në përgjithësi mund të them që procesi zgjedhor duket se po shkon përpara brenda një kuadri ligjor të arsyeshëm.

DW: Misioni juaj ka shprehur shqetësim për situatën në KQZ, konkretisht lidhur me aftësinë e tij për të administruar zgjedhjet sipas ligjit apo për raste kur vendimeve të tij u mungon një motivim i saktë ligjor. A mund të ndikojë kjo situatë në besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe standardet për zgjedhje demokratike, të cilat për Shqipërinë janë kushti kryesor për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE?

Conny McCormack: Situata në KQZ është në mendjen e të gjithëve dhe në media prej shumë javësh por ajo nuk ka ndryshuar: në vend të 7 anëtarëve që duhet të ishin janë vetëm katër që i përkasin të njëjtës parti politike. Kjo situatë, ashtu si e kemi vënë në dukje, po ndikon në vendimarrjen e deritanishme, pasi disa vendime, në bazë të ligjit, duhet të merren me pesë anëtarë që bien dakort ose ndryshe të merren me shumicë të cilësuar dhe jo me një shumicë të thjeshtë. Në raportin tonë paraprak, kemi theksuar se kjo kërkesë e ligjit nuk është zbatuar disa herë pasi KQZ nuk ka pesë anëtarë dhe ka marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar duke përdorur justifikime racionale sipas të cilave është në rregull marrja e vendimeve me 4 anëtarë. Gjithsesi ligji është shumë i qartë dhe mendoj që çështja për ne dhe këdo tjetër është që zgjedhjet po afrohen dhe vendimi se kush do t’i fitojë ato, çertifikimi i rezultatit kërkon qartësisht një shumicë të cilësuar prej pesë anëtarësh. Ky është thelbi i çështjes. Pra, ka disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar prej pesë votash por më i rëndësishmi prej tyre, që është në mendjen e gjithkujt, është çertifikimi i rezultatit. Ndërsa lidhur me rastet kur vendimeve të KQZ u mungon motivimi ligjor dëshëroj të sjell si shembull rastin e vendimit për rikompozimin e 89 KZAZ-ve. Ligji është i qartë, ai parashikon një listë të gjatë arsyesh për të ndryshuar anëtarësinë e këtyre komisioneve. Por aty nuk përfshihet asnjë arsye ligjore për rikompozim të Parlamentit. Por Parlamenti u rikompozua kur Lëvizja Socialiste për Integrim kaloi në koalicionin tjetër. 9 KZAZ me urdher të KQZ u rikompozuan dhe anëtari i Partisë për të Drejtat e Njeriut u largua dhe u zëvendësua me një anëtar nga Partia Republikane. Ky është një shembull i një vendimi që nuk ka motivim ligjor dhe që tregon se pas tij ka motive politike. Natyrisht që KQZ duhet të funksionojë, askush nuk dëshëron që ky komision të ndalojë së funksionuari, ju doni të bëhen zgjedhjet dhe ato nuk mund të bëhen pa një strukturë drejtuese si KQZ, për këtë nuk ka alternativë tjetër. Por misioni ynë ka paraqitur faktin që KQZ ka marrë disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe po ecën drejt skadimit të disa afateve të tjera ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar. Dhe nuk do të arrijë t’i kapë këto afate nëse kompozimi i KQZ nuk përshpejtohet në kohën që ka mbetur deri në 23 qershor.

DW: Shqipëria, Znj. McCormack ka një të kaluar zgjedhjesh të kontestuara. Veç situatës në KQZ, misioni juaj ka gjetur shqetësuese në raportin paraprak edhe polarizimin politik apo mungesën e besimit mes dy partive kryesore PD-PS. Të gjitha së bashku a mund të çojnë përsëri në kontestim të rezultatit të këtyre zgjedhjeve?

McCormack: Shqipëria ka një histori zgjedhjesh me rezultat të ngushtë, me një diferencë të ngushtë mes palëve dhe natyrisht, mendoj që kjo krijon një atmosferë tjetër nga ajo kur fitorja është e qartë. Pra kërkon të thuash që në kushtet e një KQZ, jo të plotë, me vetëm 4 anëtarë, njerëzit nuk do të besojnë rezultatin e shpallur prej tij? Por rezultati nuk është vetëm në dorë të KQZ; ai varet edhe nga ajo se çfarë do të ndodhë në procesin e numërimit, si do të shkojë ky process. Ndërkohë që procesi i numërimit në Shqipëri është shumë i hapur, lejon vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë, askush nuk mundohet të mohojë aksesin e tyre , që mendoj se është një komponent kyc i besueshmërisë së publikut. Gjithë qendrat e votimit kanë kamera TV, ekrane që tregojnë se si ecën votimi, nëse vota është hedhur. Në kuptimin e transparencës procesi është jashtëzakonisht i mirë, këtë shumë vende nuk e kanë, përfshirë edhe vendin tim, SHBA. Kontestim i zgjedhjeve ndodh në të gjitha ato vende ku rezultati i zgjedhjeve është shumë i ngushtë. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më 23 qershor

DW: Znj. McCormack a ka ardhur koha që gjuha e përdorur në raportin përfundimtar të jetë e qartë, jo me nënkuptime? A ka gjasa të arrihet një konsensus mes misionit të OSBR/ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për dobinë që i vjen demokracisë në Shqipëri nga të folurit qartë, pa ekuivoke?

Conny McCormack: Gjithkush do të donte të dëgjonte fjalët e thjeshta “zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Por nuk është kjo që bën OSBE/ODIHR-i. Vlerësimi i zgjedhjeve nuk është bardhë e zi, por më tepër një shkallëzim. OSBE/ODIHR ka vëzhguar qindra e qindra zgjedhje. Metodologjia e përdorur bazohet në vlerësimin makro, plotësim i disa angazhimeve ndaj OSBE-së, të tjera që nuk plotësohen. Do të ishtë më e thjeshtë fjalia “Shqipëria kaloi testin” por nuk është kjo që ne bëjmë, është fjala për nuanca, për vështrim të gjithë “peisazhit zgjedhor”, thua kjo është realizuar kjo jo, kjo kërkon përmirësim, japim rekomandime për përmirësim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›