Pistoletat me postë, pesë vjet burg
TIRANE - Nisja me postë e një pakoje me emër të rremë nga Holanda në Shqipëri i pesë pistoletave do t'i kushtojë 5 vjet heqje lirie Agim Shëngjonit. Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur dje shpalljen e tij fajtor për akuzën e "trafiku të armëve dhe municioneve" dhe dënimin e tij me 5 vjet burg. Verdikti i dhënë nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i cili kryesonte trupin gjykues ishte sa gjysma e atij të kërkuan nga prokuroria. Në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare pak seanca më parë prokuroria kishte kërkuar 10 vjet burg për të pandehurin Shëngjoni. Agim Shëngjoni u arrestua nga policia në 19 prill të këtij viti, teksa po merrte një pako brenda së cilës ndodheshin pistoletat, në postën e qytetit të Elbasanit. Sipas prokurorisë armët ishin postuar nga Holanda nga vetë i pandehuri me emrin e rremë Artur Deja, që më pas kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për të pritur pakon. Pas ardhjes në aeroportin e Rinasit detektori i këtij aeroporti evidentoi praninë e armëve dhe të disa fishekëve në pako. Në vijim policia organizoi një dorëzim të kontrolluar në postën e të Elbasanit, qytet ku ishte adresuar pakoja dhe realizoi arrestimin në flagrancë të Shëngjonit. ar.ba