E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pa jetë tregtari i zhdukur

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Pas 18 ditësh zhdukjeje, gjendet i pajetë tregtari i konfeksioneve, Hekuran Latellari. Trupi i tij u zbulua në ujërat e lumit Shkumbin, pranë fshatit Buqëz të Elbasanit. Kalimtarë të rastit pikasën trupin rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme, i cili më vonë u identifikua se i përkiste Latollarit. Me shpejtësi policia ka mbërritur në vendngjarje, duke e dërguar trupin në morgun e spitalit të Elbasanit për të saktësuar shkakun e vdekjes. Policia thotë se nuk ka dyshime për vrasje, pasi nuk janë konstatuar shenja të qarta dhune, ndërsa shtoi se deri tani po hetohet pista e vetëmbytjes ose vdekjes aksidentale.
Kufoma pasi është nxjerrë nga uji është përcjellë me një autoambulancë drejt morgut të qendrës spitalore "Xhaferr Kongoli" në Elbasan. Nga këqyrja që i kanë bërë viktimës oficerët e policisë, kanë dyshuar se trupi mund të ishte i 45-vjeçarit Hekuran Latellari, i humbur prej 5 dhjetorit. Ai ishte i vetmi mashkull i zhdukur javët e fundit dhe menjëherë u njoftuan familjarët për të bërë identifikimin. Rreth orës 17:30 kanë mbërritur në morg të afërmit e Latellarit, duke pohuar se bëhej fjalë për njeriun e tyre. Sapo vëllai i tij Ferdinandi ka bërë konfirmimin, familjarët e tjerë përreth morgut kanë nisur kujën. Ata kishin shpresë se 45-vjeçari ishte gjallë, por që kishte humbur kontaktet me ta. Pas identifikimit mjekët e morgut kanë nisur të kryejnë autopsinë për të nxjerrë shkaqet e vdekjes së 45-vjeçarit. Aktualisht nga këqyrja paraprake që i është bërë kufomës, ka rezultuar se ai nuk ka shenja dhune apo ndonjë shenjë që të bëjë hetuesit të dyshojnë për një vrasje të mundshme. Gjithsesi do të jetë ekspertiza ajo që do të nxjerrë të saktë shkaqet e vdekjes së Hekuran Latellarit.
Familjarët kanë qenë të traumatizuar nga gjendja në të cilën ndodhej kufoma, pjesërisht e dekompozuar, dhe pas identifikimit janë larguar nga morgu pa mundur të shprehin ndonjë dyshim të tyre. E vetmja pistë e cila mendohet që mund të ketë shtyrë 45-vjeçarin drejt vetëhedhjes në lumë ka qenë depresioni.
Megjithatë edhe për këtë pistë policia nuk ka dhënë konkluzione, pasi familjarët kishin pohuar se Hekurani nuk kishte probleme të tilla. I paqartë mbetet dhe vendi në të cilin mendohet të jetë hedhur 45-vjeçari, rreth 5 km larg qytetit të Elbasanit. Në momentin e gjetjes, viktima kishte të njëjtat rroba me të cilat pati dalë ditën e fundit nga shtëpia. Latellari, baba i dy fëmijëve njihej në qytet, pasi prej 10 vitesh tregtonte në tregun industrial të Elbasanit. Nga miqtë e tij njihej si person pa probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›