E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pitt dhe Jolie, të dashuruar

24/04/2005  “Sun” publikon fotot që vërtetojnë marrëdhënien

Ato që deri më sot ishin zëra dolën të vërteta. Brad Pitt dhe Angelina Jolie janë të lidhur. Foto e çiftit në Marok janë publikuar dje nga gazeta britanike “Sun”, foto që tregojnë marrëdhënien intime midis tyre. Të dy paraqiten të lumtur, së bashku me Maddox, djalin e adoptuar, të cilin Pitt po e sheh me sytë e një babai të vërtetë.

Ish-bashkëshortja e tij, Jennifer Aniston, duket se është tronditur nga konfirmimi i lajmit. Fotoja është blerë nga “Us Weekly", për t’u publikuar në Shtetet e Bashkuara, mbi një milion dollarë, ndërkohë që nuk dihet se sa ka paguar “Sun” për të marrë fotot me ekskluzivitetin ndërkombëtar. Ishin ato që provuan përfundimisht ndarjen e Brad Pitt e Jennifer Aniston, si pasojë e një tradhtie. Fotot janë bërë gjatë një pushimi në Afrikë, Marok (megjithëse disa gazeta të tjera shkruajnë Tanzani), që tregon në një plazh të mrekullueshëm Brad Pitt, 41 vjeç dhe Angelina, 29, të lumtur së bashku me Maddox. Nuk ka asgjë konkrete, asnjë puthje, asnjë shenjë dashurie midis tyre. Por, ndoshta diçka më të rëndësishme që e ka shtyrë “Sun” ta titullojë lajmin e tij ekskluziv "Baba Brad"! Kjo, pasi janë disa foto që tregojnë Pitt që kujdeset për vogëlushin 3-vjeçar Maddox, me origjinë kamboxhiane. Aktori e mban djalin për dore, shëtisin bashkë, ndërtojnë së bashku kështjella prej rëre, mbledhin guacka. Imazhe këto që vërtetojnë edhe një herë se mungesa e fëmijëve në jetën bashkëshortore me Aniston ishte një nga shkaqet kryesore të divorcit. Sipas Pitt, ish-gruaja e tij është “fajtore” se do t’i kushtojë më shumë kohë karrierës së saj, se sa krijimit të një familjeje. Ndërkohë që lajmi i marrëdhënies së tij me Jolie ka përfshirë dhe tabloide të tjera ndërkombëtare, që kanë nisur të publikojnë detaje të tjera. Kështu, gazeta njujorkeze "Daily News" shton se, Pitt ka kaluar dy ditë rresht së bashku me Jolie dhe djalin e saj, në një vilë të izoluar. Pitt ka shkuar atje para se të nisnin xhirimet e filmit të tij të ri "Babel", ngjarjet e të cilit zhvillohen në Kazablanka. Thuhet se zemra e tij është rrëmbyer nga Jolie për impenjimin e saj humanitar që po përqendrohet më shumë në Afrikë dhe që ka vendosur të bashkohet me të për disa misione të rëndësishme humanitare në këtë vend. Është konfirmuar se Aniston është plotësisht e shkatërruar nga konfirmimi i lajmit se ish-bashkëshorti i saj Brad kishte nisur një lidhje sentimentale me Angelina Jolie. Jolie, dy herë e divorcuar nga aktorët Jonny Lee Miller dhe Billy Bob Thornton, ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me një burrë të martuar. "Kam shumë të dashur dhe nuk kam nevojë për Brad", kishte deklaruar ajo përmes zëdhënësit të saj pak kohë më parë. Por, ndërkohë duket se fotografitë tregojnë krejt të kundërtën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›