E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si fenomen jo artistik i artit

24/04/2005  Dy tregime për publikun

a)Kur publiku është i keq

Është fakt që arti nuk është vetëm “artistik”. Bile, për publikun e gjerë ky është dimensioni më i rëndësishëm i artit. Masa e pranon artin kur ky i ofron afrodiziakun, spektaklin, politikën. Prandaj do të ketë vazhdimisht shkrimtarë të burgosur apo shtatzëni të padëshirueshme në radhët e gjimnazistëve e sa e sa keqkuptime të tjera të vogla midis artistëve dhe publikut.

Një tjetër artific, që e afron artin me publikun është dhe vdekja (në mosha të reja të artistit). Artistët e mirë kanë vdekur. Ata më të mirët vdiqën të rinj. Kjo është një metodë shumë e përhapur për fabrikime mitesh e milionerësh post-mortum dhe nuk është me interes të shpjegohet si funksionon ky lloj mekanizmi. Rëndësi ka të arrihet në përfundimin se publiku, përgjithësisht, i do artistët të ngordhur (militantë limonatë e pornografë) ose të vdekur.

Megjithëse mendja të shkon direkt te Migjeni 27-vjeçar, në historinë tonë lojën luksoze të vdekjes e paraqet rasti i Lasgushit, në një mënyrë krejt të veçantë. E jetoi vdekjen e vet deri në fund, duke mos e përgënjeshtruar nekrologjinë e parashikuar, të cilën ia kishin sajuar pikërisht për ta dashuruar më tepër...

Është fakt që arti është vetëm artistik. Për këtë më të ndërgjegjshëm se publiku, sigurisht janë vetë artistët. Prej më shumë se dy mijë vjetësh e kanë ditur se masat midis Barabës e Krishtit, zgjedhin Barabën fillimisht. Shpesh është kjo lloj historie autori i vërtetë i romaneve, pikturave, filmave më të pëlqyer të vitit.

A)Publiku është i mirë

Në fakt përherë diskutimet që kanë sadopak lidhje me fjalën “publik” janë të rrezikuara të skematizohen. Imagjinohet e rreshtuar në këtë fjalë gjithë milingonda e përditshme e njerëzve që nxitojnë në rrugë, duke pështyrë përdhe e duke neglizhuar rregullat e trafikut. Prandaj, për t’i shpëtuar këtij nocioni si një demonstratë, krijohet si një kundërshti nocioni i elitarizmit. Pra, i publikut të zgjedhur, të arsyeshëm e të arsimuar, persona që lahen më shumë se një herë në javë...

Nën këtë vështrim racist, kemi gjithnjë e më shpesh në diskutime shprehjet “art elitar”, “art për elitë”. Si elita, ashtu dhe publiku masiv, emërtojnë grupime njerëzish, por grupimi s’mund të ketë atribute të artit. Arti është punë individësh. Nga një anë është artisti që krijon (poeti, piktori etj.). Midis këtij çifti merr jetë arti e jo tjetërkund.

Këtu në këta rreshta u desh pikërisht ky lloj i publikut. Konsumues pa pretendime i artit, njerëz që i bashkon vetëm gjuha, kutia e votimit si edhe përjashtimi nga elita. Këta na lejojnë komoditetin që të shqyrtojmë kategoritë “jo vetëm artistike” që mbështillen me artin. Ky komoditet le të na lejojë të bëjmë një lloj parade të autorëve të mëdhenj shqiptarë, të matur me njësi joartistike. Në fillim kemi Barletin, sepse bëri Skënderbeun. Pastaj kemi Naimin, sepse bëri gjuhën shqipe. Pashko Vasën dihet çfarë bëri. Fishta, sepse bëri “Iliadën” tonë. Konica është në këtë paradë nderi se na gjeti flamurin dhe një mënyrë të re për të dashur Shqipërinë. Migjeni bëri poezinë e re. Lasgushi e Mitrushi na zbukuruan me dashurinë. Noli bëri kishën e revolucionin dhe shqipërimet. Petro Marko, Skënder Luarasi e Kasëm Trebeshina luftuan edhe për ne që s’na e mbante, me fjalë e plumb. Kadareja bëri shqiptarin modern dhe shëtiti Shqipërinë në Botë.

Këto janë të vërteta, se i thotë populli sot e gjithë jetën. Këto janë preokupimi më i bukur i “publikut të gjerë”, që nuk di nga arti. Kurse elita ka filtrat e imët, manualet e estetikës dhe një lloj policie të fshehtë që quhet “kritikë e artit”. Terreni i artit është ai “autobusi blu” i këngës së “Doors”-ave. Autobus i heshtur, symbyllur. Ka vetëm një pasagjer. Ai është i lutur të mos bëjë tym e të mos i flasë shoferit, i cili ecën vetëm në rrugë të paqena.

2021 22

“Republick of Albanania”, pamundësi e sinqertë

Me një shpërfillje, gati arrogante, ironia e publicistit Ervin Hatibi tani ka gjetur një pop-poster për të treguar se kush është Republika e Shqipërisë.

“Republick of Albanania”, botimet “Ora”, ka hyrë në qarkullim që nga dita e djeshme si manual përdorimi për ndokënd që kërkon të njohë botën më afër imazhit të Hatibit. Pop-estetikë, shpjegon në kolazhin e shkrimeve “modernitetin” e jetës shqiptare, sidomos e ndjekur kjo në kryeqytet. I ndjeshëm në skaj, Hatibi me një lloj nervi natyror, nuk i vë fre mendimeve që e “acarojnë” në çast. E gjitha që grumbullohet në një brumë të ngjeshur fort, për t’i dhënë dorë lirisë kur i duhet të alternojë inspirime të zgjedhura midis piktorit dhe shkruesit eseistik. Dëshira e tij, siç duket anon më shumë në një pamje më piktoreske në të shkruar. Ndaj ka gjetur një lloj modeli për të të hutuar, në ese mjaft të shkurtra mendimin me përfytyrimin grafik, duke tentuar të mbërthejë në të dyja rastet publikun e çorientuar.

“Hatibi publicist po aq (pak) klasik sa edhe piktura, zgjedh ta trajtojë kolazhin e shkrimeve të tij si një album posterash eseistikë për atdheun e tij kontemporan. E njëjta pamundësi e sinqertë pra, për të zgjedhur midis ‘grafistit’ e piktorit, mbizotëron krijimtaria e tij e shkruar, tek e cila poeti e oratori, mendimtari e pop-komunikuesi masiv, bashkëjetojnë, ku turfullueshëm e ku paqësisht. Kështu eseja e tij herë merr formën e thirrjeve apo komunikatave publike, gozhduar fort në biliboard-in nacional, e herë shndërrohen në sfilata emocionesh intime, qëndisur me kujdes në albumin personal...”, shkruan Holta Vrioni në parathënien e librit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›