E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata rrëzon kërkesën e Aldo Bares



Armand Bajrami

Gjykata për Krimet e Rënda i "pret" shpresat për gjykim me kohë të shkurtuar të akuzuarit si kreu i "bandës së Lushnjës", Aldo Bare. Në seancën e djeshme në ngarkim të personit mbi të cilin rëndojnë një "lumë" veprash të rënda penale, togat e zeza vendosën rrëzimin e kërkesës së tij për "gjykim të shkurtuar". Sipas gjykatës, për shkak se hetimet ndaj të pandehurit Bare janë zhvilluar në mungesë të tij, dosja nuk mund të zgjidhet në gjendjen në të cilin ndodhen aktet. Në këtë mënyrë, nëse Aldo Bare deklarohet "fajtor" për akuzat që rëndojnë mbi të, ai nuk mund të shmangë dënimin me burgim të përjetshëm. Po dje avokati mbrojtës i Bares kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese. Sipas avokatit, shqyrtimi i provave të dosjes nga pesë anëtarët e trupës gjykuese do të çonte më pas në paragjykimin e çështjes e për rrjedhojë një vendim jo të drejtë. Seanca u mbyll brenda jo më shumë se 20 minutave. Në ditët në vijim do të jetë një tjetër gjyqtar që do të vendosë nëse pesëshja e gjyqtarëve të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari do të vijojnë të gjykojnë këtë dosje apo jo.
VENDIMI
"Gjykata pasi u konsultua me provat shkresore të paraqitura nga avokati për kërkesën për gjykim të shkurtuar, si edhe me kërkesat e ngritura nga akuza ndaj të pandehurit Aldo Bare (Alfred Shkurti), për të pasur një gjykim sa më të drejtë dhe të paanshëm, duke pasur parasysh se hetimet nga organi i akuzës janë bërë në mungesë të të pandehurit doli në përfundim se kërkesa për gjykim me kohë të shkurtuar e kërkuar nga i pandehuri Aldo Bare të mos pranohet, pasi akuza nuk mund të provohet në gjendjen në të cilën janë aktet", thuhej në vendimin e ndërmjetëm të gjykatës. Fill pas vendimit të ndërmjetëm të gjykatës avokati mbrojtës i të pandehurit Bare, Vladimir Meçi, kërkoi përjashtimin e të pesë gjyqtarëve nga gjykimi i çështjes. Avokati Meçi pretendoi se trupa gjykuese njihej me prova të dosjes dhe kjo do të çonte në paragjykim të çështjes. "Në kushtet kur gjykata është vënë në dijeni të të gjitha deklarimeve të marra në fazën e hetimeve paraprake shkaktohen probleme serioze për paragjykimin e çështjes penale", tha avokati duke shtuar se futja e procesverbaleve të deklarimeve të shtetasve në aktet e dosjes ishte e paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›