Vetëdorëzohet vrasësi i 17 -vjeçarit në Shkodër
SHKODER- Vetëdorëzohet autori i vrasjes së 17 - vjeçarit, Eduart Thana. Bashkë me armën e krimit, T.Brahimi, 16 -vjeçari është paraqitur mbrëmë në policinë e Shkodrës, duke pohuar se ishte ai autori i ekzekutimit të adoleshentit Thana. Policia kishte si autor të dyshuar vëllain e 16 -vjeçarit, por mbrëmë rreth orës 21:30, i vetëdorëzuari ka marrë përsipër krimin e rëndë. Eduart Thana u vra mbrëmjen e së hënës, në afërsi të Universitetit të Shkodrës. Ai ishte bashkë me disa shokë të tij në një lokal të lojërave të fatit, kur dikush e ka telefonuar. Menjëherë pas telefonatës, Thana ka dalë jashtë lokalit i vetëm, ku edhe është vrarë nga një person, i cili po lëvizte me një mjet. Pas krimit, makina në të cilën ndodhej vrasësi është larguar me shpejtësi, pa u dhënë mundësi dëshmitarëve okularë të kryenin identifikimin e mjetit. Ngjarja terrorizoi edhe kalimtarët, të cilët u rrezikuan nga plumbat e pistoletës. Policia e Shkodrës bëri të ditur mbrëmë se 16 -vjeçari është duke u marrë në pyetje për krimin dhe motivin e saj. Gjithashtu, po hetohet për bashkëpunëtorë të mundshëm, pasi mbrëmjen e vrasjes dyshohet të kenë qenë në makinë më shumë se një person. Njëri prej të dyshuarve si bashkëpunëtor i mundshëm është edhe vëllai i të arrestuarit me akuzën e "vrasjes me dashje" dhe "armëmbajtjes pa leje". r.d