Bylykbashi: “Mos më neglizhoni, e meritoj Kombëtaren”
Është një nga ata që e meriton me të vërtetë fanellën e rëndë të përfaqësueses kuqezi. Është vlerësuar gjithmonë si një nga më virtuozët e futbollit shqiptar. Madje edhe në Ukrainë, ku luhet një futboll shumë më i përparuar se i yni, elbasanasi Dorian Bylykbashi ka mundur të evidentohet e të lërë gjurmë. Ish-fantazisti i Partizanit është një nga dy kapitenët e vetëm shqiptarë që udhëheqin skuadrat e tyre jashtë Shqipërisë, duke përfshirë këtu dhe Lorik Canën. 28-vjeçari ka qenë pjesë e Kombëtares, madje është thirrur edhe nga trajnerët e mëparshëm të saj, gjermani Hans-Peter Brigel dhe kroati Oto Bariç, por është lënë çuditërisht në hije nga holandezi Ari Han, edhe pse ky i fundit në më shumë se një rast, kur ka thirrur lojtarë të dëmtuar apo ende në rikuperim e sipër, mund ta testonte Bylykbashin. "Nuk di çfarë të bëj më tepër që të jem në Kombëtare”, - tha Bylykbashi. “Mesa po kuptoj edhe të luash jashtë, edhe të jesh titullar, nuk qenka e nevojshme për të qenë pjesë e Kombëtares”, - shtoi ai. Bylykbashi është në një formë të shkëlqyer dhe këtë jo vetëm që e kanë shprehur mediat sportive ukrainase e drejtuesit e klubit të Kribvasit, por dhe lojtarët shqiptarë që luajnë në Ukrainë, Debatik Curri, Armend Dallku, Ervin Bulku, që të tre futbollistë të spikatur të Kombëtares shqiptare. “Unë do të vazhdoj të luaj dhe të jap më të mirën time, me vjen keq që nuk jam në kombëtare. Çuditërisht jam pak i befasuar pasi mendoj se e meritoj të jem në Kombëtare me lojën dhe golat që kam bërë në Ukrainë”, - tha Bylykbashi. Mesfushori sulmues i Kribvas Krijog në Ukrainë do të jetë pjesë e Dnipro Dinpropetrovsk nga muaji janar. “Është një skuadër shumë ambicioze dhe me objektiva gjithmonë për të qenë në kompeticionet europiane. Për më tepër që kushtet financiare janë shumë më të mira”, - tha Bylykbashi. Në fakt, kalimi i Bylos te Dnipro Dinpropetrovsk lidhet me objektivat e mëdha të sponsorëve pasi janë të njëjtët grup biznesmenësh që sponsorizojnë edhe Kribvasin.
17 Dhjetor 2008