E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana te Interi?



Kapiteni shqiptar i Marsejës kërkohet edhe nga klubi anglez i Evertonit.
Në ndjekje të mesfushorit janë prej kohësh edhe Bajerni, Roma e Reali i Madridit

Lorik Cana te Interi? Në fakt është thjesht një lajm i zakonshëm në prag të merkatos, por që vjen të paktën nga Franca dhe nga një faqe e besueshme interneti si football.fr. “Intriga” është shumë e thjeshtë. Interi ka një bollëk në vijën e parë dhe po përpiqet të sistemojë Hernan Krespon në Francë, ku të paktën katër ekipe mund të plotësojnë ambiciet e argjentinasit: Marseja, Paris Sën Zhermeni, Monako dhe Lioni. Për momentin, asnjë nga klubet franceze nuk ka hyrë në kontakt me lojtarin. Por, sipas football.fr, klubi marsejez është më i avantazhuar, pasi trajneri portugez i Interit, Hoze Murinjo, ka prej kohësh dy lojtarë marsejezë në “collimateur (shënjestër) dhe kjo do të përbënte edhe një nxitje për të diskutuar mes palëve. Dy lojtarët, gjithnjë sipas faqes sportive, janë Lorik Cana, kapiteni i Marsejës dhe Sharl Kabure, të cilin Murinjo e kërkonte qysh kur ishte trajneri i Çelsit. Lorik Cana ndiqet prej kohësh edhe nga Evertoni, madje klubi anglez ka bërë dhe ofertën e tij prej 12-13 milionë eurosh, ndërkohë që Interi ka nevojë për një lojtar të fortë shkatërrues në mesfushë, duke parë dhe faktin se Patrik Vieira sapo ka filluar të ushtrohet me topin dhe ka nevojë për një farë kohe për t’u rikuperuar plotësisht. Cana vlerësohet në ambientet franceze dhe europiane për grintën e tij, por dhe për pjekurinë si lojtar dhe mund t’u shërbente shumë zikaltërve, aq më tepër kur nëse Murinjo kërkon me forcë një lojtar, presidenti zemërgjerë Masimo Morati është gati t’i plotësojë dëshirën.

Cana “çon” Govunë në burg

Sulmuesi i Lionit, Sidnej Govu, e kaloi natën e së hënës në një qeli. Pas barazimit pa gola kundër Marsejës së Lorik Canës në kampionatin francez, futbollisti i përfaqësueses transalpine u ndalua nga policia pasi po i jepte makinës në gjendje të dehur. Govusë iu mor patenta, ndërkohë që do t’i duhet të paraqitet në gjykatën franceze për të dhënë shpjegime.

Bogdani mungon edhe kundër Xhenoas

Kievo e arkivoi humbjen kundër Interit kryesues dhe tashmë po përgatitet për sfidën kundër Xhenoas, por teknikut të verdhebluve të Serisë A në Itali, Di Karlo, do t’i duhet të bëjë pa Erion Bogdanin, i cili ka munguar në tri ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi.

Fati nuk mund të blihet

“Fati nuk mund të blihet”. Ky ishte titulli i një editoriali të publikuar në faqen gjermane ka-news.de, në lidhje me ecurinë zhgënjyese të Karlsruhes gjatë fazës së parë në Bundesligë, duke qenë ndër më të rrezikuarat për të rënë nga kategoria. Karlsruhe vuan në shënimin e golave dhe fakti është se dhe Edmond Kapllani ende nuk ka realizuar golin e parë, ndërkohë që kur luante në Bundesliga 2, falë edhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Xhovani Federikon, bëri një “thes” me gola (17). Pikërisht, Federikon dëshiron të blejë në janar Karlsruhe. Xhovani kuptohet shumë mirë me Kapllanin, teksa shqiptari e ka shprehur të gjithë aftësinë e tij për të realizuar, - shkruhet në shkrimin e publikuar.

KUPA E SHQIPËRISË
TURI I DYTË
NDESHJET E KTHIMIT
17 dhjetor 2008, ora 13:30

GRUPI A
Dinamo-Skënderbeu (0-1)
Besa-Kastrioti (2-1)
Shkumbini-Apolonia (0-0)
Vllaznia-Teuta (0-1)

GRUPI B
Partizani-Burreli (1-0)
Elbasani-Besëlidhja (2-2)
Tirana-Lushnja (4-1)
Flamurtari-Bylis (1-1)

* Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para. Ndeshjet fillojnë në orën 13:30

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›