E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pjerin Ndreu të dënohet me 100 mijë lekë gjobë

07/06/2005  Prokuroria kërkon nga Gjykata të shpallë fajtor ish-kryekomisarin

TIRANË – Prokuroria ka deklaruar fajtor Pjerin Ndreun për veprën penale të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe i kërkoi gjykatës dënimin e tij me 100 mijë lekë të reja gjobë. Sipas akuzës, u vërtetua se Pjerin Ndreu ka nisur në telefonin e shefit të SHKB-së disa mesazhe, të cilat prej të dëmtuarit janë konsideruar kërcënuese. Nisjen e mesazheve nuk e ka mohuar as vetë Ndreu, i cili ka deklaruar se gjithçka e ka bërë në kuadër të shoqërisë. Avokati Sajmir Visha nuk e pranoi kërkesën e Prokurorisë. Ai i kërkoi gjykatës pafajësi për klientin e tij Pjerin Ndreu, duke mohuar faktin që mesazhet të kenë sens kërcënues. Ish-komisar Pjerin Ndreu nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore. Ndërkohë, gjykata, pasi ka dëgjuar palët në konkluzionet përfundimtare, ka shtyrë procesin për të dhënë vendimin e saj në një datë tjetër. Ndreu akuzohet për veprën penale të "përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. Në celularin e Sami Rashës është fiksuar një mesazh me fjalët: "Vendin e punës nuk e ke të përjetshëm. Këtë po ta them si shok". Kjo është përmbajtja e mesazhit të dërguar në drejtim të telefonit celular të shefit të SHKB-së, Sami Rasha. Megjithëse pas ndalimit e më pas arrestimit nga policia, Ndreu u la i lirë, vepra penale për të cilën u akuzua nuk iu pushua. Kjo vepër parashikohet nga neni 275 i Kodit Penal.

A.Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›