E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg përjetë, vrau 20-vjeçarin

07/06/2005  Eduart Lulo merr dënimin maksimal nga Gjykata e Krimeve të Rënda

TIRANË- Në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm vetëm babai i 21-vjeçarit të vrarë më 8 shkurt 2004 brenda shtëpisë, nga dy të pandehurit në bashkëpunim, Eduard Lulo dhe Gentjan Dajlani. E priti me qetësi vendimin e gjykatës. Të njëjtën gjë bënë edhe familjarët e të pandehurve, të cilët në disa seanca kanë dëgjuar nga goja e fëmijëve gjithë historinë tragjike që ndodhi brenda në familjen e Kici Nikollës, shkurtin e kaluar. Dy djemtë e kanë pranuar akuzën. Janë treguar të penduar. Por kjo nuk i shpëtoi nga masa e dënimit. I vetmi që përfitoi nga dënimi i rëndë është i pandehuri Gentjan Dajlani, i cili në kohën e kryerjes së krimit ishte i mitur, nën moshën 18 vjeç.

Vendimi

Gjykata vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm të pandehurin Eduard Lulo për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen dhe me 11 vjet burg të pandehurin Gentjan Dajlani, si bashkëpunëtorë. Për Dajlanin, gjykata uli vetëm 1 vit denim, duke e konsideruar mbështetës në krim e jo autor kryesor. Edhe organi i Prokurorisë kërkoi dënimin e të pandehurit Lulo me burgim të përjetshëm dhe të Dajlanit me 12 vjet e 6 muaj burg. Nga 25 vite burg që kërkoi prokurori i çështjes për Dajlanin, përfundimisht në bazë të nenti 51 të KP, duhet të vuaj 12 vite e 6 muaj burg. Të pandehurit, të ndodhur brenda kafazit të hekurt, nuk reaguan pasi dëgjuan masën e dënimit. Eduard Lulo u dënua me burgim të përjetshëm, pasi në momentin kur ai kreu krimin e vjedhjes me pasojë vdekjen dhe plagosjen e dy të tjerëve, kishte pak ditë që kishte mbushur 18 vjeç. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda ka pranuar gjithçka. Megjithatë, edhe pse i penduar, nuk përfiton asgjë nga gjykimi i shkurtuar.

Ngjarja

Eduard Lulo pranoi para gjykatës se së bashku me Gentjan Dajlanin, tani 16 vjeç, kanë llogaritur gjithçka. Janë njohur në Gjirokastër, ku Dajlani vazhdonte shkollën dhe Lulo punonte. Eduard Lulo një ditë i qahet Gentjan Dajlanit se ishte dobët nga lekët. Kishte marrë shumë borxhe dhe duhej patjetër të gjente mënyrën për të dalë nga kjo situatë. I pandehuri Gentjan Dajlani ishte në klasë me djalin e dytë të familjes Nikolla dhe e dinte se në shtëpinë e tyre kishte para. Nga shkrepjet e automatikut, Eduard Lulo vrau djalin e madh të kësaj familjeje, Paulin Nikolla, vetëm 21 vjeç. I pandehuri 18-vjeçar tregoi me hollësi edhe momentet pas ngjarjes së 8 shkurtit 2004. "Pasi pashë se vrava një djalë, brenda 40-50 sekondash vendosa të largohesha. Dola nga shtëpia dhe i thashë Gentit të iknim me vrap. Fsheha maskat, por i pafat. Pas 4-5 orësh policia na kapi të dyve", është shprehur i pandehuri Lulo.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›