E Hënë, 2 Nëntor 2026

I mituri, qëllova nënën me levë pë rtë mbrojtur babain

07/06/2005  Jeton vetëm prej 6 muajsh. I ati u arrestua për plagosje të rëndë

TIRANË – Divorcet shkaktojnë jo pak probleme. Është me prindër të divorcuar. E ndjen shumë mungesën e babait që e ka në burg. Është nën moshën 14 vjeç. Pikërisht për këtë fakt nuk mund t'i publikojmë emrin. Ndërsa shprehet për nënën se nuk flet, pasi së bashku me motrën i ka kthyer kurrizin. Duket fëmijë i shkathët. Në dorë mban një fletëthirrje të gjykatës. Me çdo kusht kërkon të dëshmojë, pasi ka qenë dëshmitari i vetëm, madje pranon se është edhe autor i veprës penale. "Unë tani jetoj i vetëm. Babain e kam në burg, ndërsa nëna së bashku me motrën jetojnë të dyja. Nuk flas me to. Kur kaloj unë, ato më kthejnë shpinën. Sot kam ardhur si deklarues në gjykatë. Dua të mbroj babain tim. Unë e kam qëlluar nënën me levë, ndërsa ajo ka bërë kallëzim për babain".

Dëshmitar

Është më pak se 14 vjeç. Te hyrja e gjykatës kërkon informacion se ku mund të futet për në sallën e gjyqit. Ka ardhur i shoqëruar nga shokët e babait të tij, i cili ndodhet në bankën e të akuzuarve me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. Ka gjashtë muaj që qëndron në burg. Këto gjashtë muaj, Rifat Gosuni e ka lënë djalin vetëm në shtëpi. Ndërkohë që vetë djali thotë se është përballur me ngjarje jo shumë të këndshme brenda në familje. Probleme familjare. Kontradiktat me bashkëshorten kanë qenë aq të forta, sa në mes është futur edhe fëmija i tyre, që është i mitur. Djali tregoi dje se e ka goditur nënën, pasi ajo së bashku me motrën kishin thurur plane për të marrë shtëpinë dhe gjithë pasurinë. "Nëna erdhi në shtëpi dhe theu gjithçka. Ajo bashkë me motrën nuk e donin babain. Kishte kohë që grindej. Ditën e ngjarjes, para gjashtë muajsh, unë isha në shtëpi kur nëna u fut në shtëpi dhe filloi të thyente gjithçka. Babai nuk dinte se çfarë të bënte. Unë e pashë babain shumë keq dhe vendosa ta ndihmoja. Kështu mora levën që e mbanim në shtëpi dhe qëllova mbi mamin". Kështu deklaroi dje jashtë sallës së gjyqit djali i vogël, i cili shpresonte të shihte sa më shpejt të atin. Ai tregon se me nënën nuk do të ketë më lidhje. Më pas shpjegon se prindërit janë divorcuar në gjykatë. Mban mend edhe emrin e gjyqtares. "Kaçe Agolli dha vendimin e divorcit për prindërit e mi. Aty vendosëm të ndaheshim edhe ne fëmijët. Unë pranova të shkoja me babain, sepse e di që ai është i drejtë, ndërsa motra qëndron me nënën".

Gjyqi

Rifat Gosuni nuk e ka pranuar akuzën dje para gjykatës, edhe pse i është kërkuar të pranojë gjykimin e shkurtuar. Është shprehur para gjyqtarit Arben Micko se nuk e ka qëlluar ai gruan, por djali i vogël. "Nuk mund të pranoj një vepër që nuk e kam kryer. Ish-bashkëshorten e qëlloi djali im me levë". Kështu është shprehur i pandehuri Rifat Gosuni. Për të vërtetuar ngjarjen e ndodhur në familjen e Gosunit, do të thirren për të dëshmuar gruaja dhe vajza. Por në cilësinë e dëshmitarit do të thirret edhe djali i vogël, i cili e pranon pa hezitim dhunën që ka ushtruar ndaj nënës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›