E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia kërkon nga partitë kërkesat për tubimet

07/06/2005  Mariglen Mullai

TIRANË- Policia e kryeqytetit fton të gjitha partitë politike të respektojnë të gjitha hapësirat ligjore për zhvillimin e mitingjeve në kuadër të fushatës elektorale, pasi nga disa prej tyre nuk është marrë parasysh ligji përkatës. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, në një njoftim për shtyp bëjnë të ditur se, "Nisur nga fakti se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar shumë aktivitete e tubime elektorale të subjekteve të ndryshme politike dhe në disa prej të cilave nuk janë bërë njoftimet përkatëse në strukturat e policisë, në juridiksionin e të cilit zhvillohen bazuar në ligjin nr.8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’, kërkohet që nga ana e subjekteve të respektohet neni 5 ‘Njoftimi i Policisë së Shtetit’, i cili duhet të bëhet jo më vonë se 3 ditë para datës së zhvillimit të tubimit". Sipas burimeve zyrtare, njoftimi duhet të përmbajë vendin, datën, orën e fillimit dhe përfundimit të tubimit, identitetin dhe adresën e drejtuesit dhe organizatorit të tubimit, qëllimin e tij, numrin e përafërt të pjesëmarrësve, numrin e personave ndihmës në mbarëvajtjen e tubimit, personat që do të flasin etj.

Tubimi urgjent

Në nenin 7, “Tubime urgjente”, parashikohet që njoftimi në polici duhet bërë menjëherë, por jo më vone se 3 orë përpara kohës së zhvillimit të tubimit. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nëpërmjet njoftimit për shtyp, u bën thirrje të gjitha subjekteve ose individëve, të cilët do të zhvillojnë tubime apo takime në zonat e tyre elektorale, që të bëjnë njoftimet përkatëse, sipas afateve kohore dhe detyrimeve të tjera të parashikuara në ligj. Në fund të njoftimit për shtyp, zyrtarët e bluve të kryeqytetit thanë se, "duke shpresuar në mirëkuptimin e subjekteve të ndryshme në këtë kërkesë ligjore, i sigurojmë edhe njëherë ato se, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të jetë e angazhuar totalisht për të siguruar rendin e qetësinë në këtë proces të rëndësishëm elektoral, mbrojtjen e pronës dhe të jetës së qytetarëve nga çdo veprim kriminal".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›