E Hënë, 2 Nëntor 2026

Identifikohet kufoma e Elbasanit, vejushë 5 muajshe shtatzanë

07/06/2005  Mimoza Xhamia, 32 vjeçe, lindur në Devoll e banuese në Durrës, burri i vrarë në 2005-ën në Laç

TIRANË- Një grua nga Durrësi identifikon motrën e saj që u gjet e vrarë e gjysmë djegur në Gracen të Elbasanit. Pasi e ka parë disa herë kufomën në morgun e Tiranës, motra e viktimës pohoi para mjekëve, policëve e prokurorëve se gruaja ishte 32 vjeçe e quhej Mimoza Xhamia, lindur në Devoll e banuese në Durrës. Mjekët eksperto-ligjorë thanë dje se pas ekzaminimit u vërtetua se prej pesë muajsh ajo shtatzanë, ndërkohë policia deklaron se i shoqi është vrarë në 2000-ën, në Laç. Përshkrimet e disa pjesëve të veçanta të trupit, flokët e nofullat bindën Luljetën, motrën e Mimozës të deklaronte se kufoma që u gjet në 1 qershor i përkiste pikërisht asaj. Burime nga Mjekësia Ligjore thanë për gazetën "Metropol" se lotët nuk mund të krahasoheshin me një rrëfim rrënqethës para syve të ekspertëve, me një kalvar të gjatë vuajtjesh që e pati fundin në një ekzekutim ç njerëzor e më pas djegje me vaj makine. Jeta e Mimoza Xhamisë kishte qenë e vështirë, e mbushur me trauma, humbje e varfëri. Tashmë hetimet kanë marrë një tjetër rrjedhë, pasi dje u grumbulluan materiale të ekspertët e policisë e prokurorisë nuk i dispononin më parë. Dy gëzhojat e pistoletës, kampionët e vajit të makinës, pjesë të rrobave dhe rrëfimet e detajuara të familjarëve do të çojnë në identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje të shëmtuar.

Jeta e Mimozës

Ajo lindi në Devoll të Korçës. U martua kur ishte rreth 26 vjeçe dhe banoi për një kohë të gjatë në qytetin e Durrësit, tek familja e bashkëshortit të saj. Burimet policore thanë se pas disa viteve vuajtjesh, për shkak të gjendjes ekonomike, çifti ka emigruar në Greqi. Pesë vjet më parë i shoqi i Mimozës ekzekutohet në qytetin e Laçit. Në atë vit lind djali i Mimozës. Policia tha se 32-vjeçarja shkonte sërish në Greqi, ndërsa djali i saj, pesë vjeç në momentin kur nëna e saj u gjet e vdekur, ndodhej në tokën helene. Ndërkohë, peripecirat e vejushës, pas vdekjes tragjike të bashkëshortit u lehtësuan disi në momentin kur motra e saj Luljeta Xhamia e ftoi të banonte tek shtëpia e saj në Durrës. Luljeta është e martuar me një shtetas turk dhe janë pronarë të një butiku. I pasqaruar ka mbetur momenti i largimit të Minozës nga Durrësi, fakt i cili do të zbardhet nga eskpertët.

Gjetja e kufomës

Shoferi i mësuesve të fshatit gjet më 1 qershor buzë rrugës nacionale Elbasan-Tiranë, në vendin e quajtuar “Ara e Sallakut”, të fshatit Gracen gruan e masakruar me plumb në kokë dhe të djegur me vaj makine. Ymer Hoxha, shoferi i mësuesve që gjeti kufomën deklaroi një ditë më vonë për gazetën "Metropol" se ishte tmerruar, pasi nuk kishte parë asnjëherë një pamje të tillë dhe gjithçka i’u duk shumë e tmerrshme e më pas kishte mallkuar njeriun që e ka bërë këtë krim mjaft të rëndë. Vajza kishte veshur pantallona xhinse dhe një bluzë, shenja të të cilave kanë mbetur në trupin e djegur, por pa lënë asnjë detaj tjetër. Sipas veprimeve të para e të mëvonshme, përdhunimi përjashtohet, pasi nuk janë konstatuar shenja të tilla, ndërsa krimi ka precipituar brenda disa minutave, kur autori gjakftohtë ka llogaritur gjithçka. U dyshua se vrasja me dy plumba në kokë e trup dhe më pas djegia e trupit kanë ndodhur rreth orës 21.30, të datës 31 maj.

Precedenti

Në Sukth u gjet një kokë gruaje,ende në kërkim të trupit

Një kokë gruaje, gjysmë e dekompozuar u gjend e groposur në një gropë 40 cm të thellë, në fshatin Jubë, të Sukthit, në rrethin e Durrësit. Kanë qenë ushtarët komando që, ndërsa ngrinin një shesh fushimi, gjetën kokën ende të paidentifikuar. Policia, pas zbulimit të rastësishëm të kokës, gjatë ngritjes së kampit të fushimit të ushtrisë, ka krehur të gjithë zonën për të gjetur trupin, por kërkimet nuk kanë pasur rezultat. Besohet se trupi duhet të jetë varrosur rreth vendit ku është gjetur koka e prerë, por ende nuk është zbuluar gjë. Policia lokale po punon dhe me informacionet rreth vendit të ngjarjes, ku besohet se dikush mund të jetë në dijeni të faktit. Koka, sipas burimeve policore, i përkiste një gruaje, mbi 30 vjeçe dhe viheshin re flokë të gjata. Ajo ishte therur me thikë dhe më pas është varrosur pranë repartit të tankeve.

Identiteti i "rremë" i Mimozës, u dyshua për Alketa Muratin

Viktima u dyshua nga disa familjarë se i përkiste një 17-vjeçare nga Sukthi, e martuar dhe në muajin e gjashtë të shtatëzanisë. Këto dyshime ranë posht, sepse e zhdukura prej disa ditësh, Alketa Murati, u gjet më vonë te të afërmit e saj në Tiranë. Familjarët e Alketës dyshuan se kufoma e gjetur në anë të rrugës nacionale Elbasan–Tiranë, i përkiste Alketa Muratit, me origjinë nga Dibra, banuese në Sukth të Durrësit. Sipas tyre, të cilët menjëherë pas njoftimit u paraqitën dje në Elbasan, për të identifikuar kufomën, mësohet se Alketa ishte larguar nga shtëpia. Vetëm disa ditë më pas, e dyshuara si viktimë, Alketa Murati, u gjet në banesën e të afërmve të saj në Tiranë. Llazan Gjoni, 22 vjeç, bashkëshorti i Alketës, pasi ka mundur të shohë trupin e pajetë të femrës gjysmë të karbonizuar, hodhi dyshimet e para se ajo mund t’i përkistet gruas së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›