E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjesë novele

(Pjesë letrare e shkëputur nga një novelë)

- Vogëlushe, mos u trishto. Ndoshta, nuk ka ndodhur asgjë; duhet të jesh e ndërgjegjshme që ai nuk të meritonte. Një herë më the se mos ndoshta ishe ti që nuk e meritoje atë dhe kjo, e mbaj mend shumë mirë këtë, kjo të shkaktoi një dhembje, një ndjenjë të tmerrshme faji, por ja që kjo që sapo më the, të mundëson që me shpirt të lirë ti të dish se gjatë gjithë kësaj kohe, paska qenë ai horr që s’të paska merituar, e jo ti atë! Harroje, princeshë, harroje përfundimisht. Më jep një mundësi dhe do ta shohësh që brenda mundësive të mia do të bëj të pamundurën për të rikthyer buzëqeshjen në fytyrën tënde engjëllore o shpirt, do të bëj gjithçka për të të rikthyer një paqe të madhe në zemër!

Pasi ia thashë këto i preka faqet, ia putha njërën. E përqafova me të lehtë, ia mbështeta kokën në krahët e mi. Rrinim të shtrënguar dhe s’bënim zë. E ndieja që vazhdonte të ishte e pikëlluar, por nuk kisha se çfarë t’i bëja më.

- Nga e more vesh? – e pyeta pas pak. – Kush ta tha?

- Në shkollë, – m’u përgjigj. – Shoqet ma thanë. Turp më erdhi, turp nga vetja e nga to!

- Jo shpirte, mos bëj kështu, nuk është mirë. Do ta kalojmë edhe këtë, të dy bashkë ne mund të jemi të pathyeshëm. Ja, shiko këtu, ma jep dorën.

Më afroi dorën e djathtë.

- Bëje grusht, – i thashë.

E bëri dhe po më shihte me kureshtje, priste se ç’kisha ndër mend të bëja.

- Më thuaj, si mendon, ky grusht, është i fortë?

- Nuk e di, – u përgjigj me zë të ulët, siç e kishte zakon në raste dyzimi.

- Si nuk e ditke? – ia ktheva me të butë.

- Po mire pra, ja e zëmë se e di. Mendimi im është se nuk është i fortë, nuk e meriton të quhet i fortë sepse nuk është i tillë. E di që s’është.

- Si s’qenka?

- E ja kështu, siç më dëgjove, e di unë që s’është. Unë jam e dobët, shumë e dobët jam. Le që jam edhe budallaqe, e di shumë mirë që jam budallaqe; edhe e dobët jam. Gjithë të këqijat kam, ja kështu mendoj!

Këto fjalë më sëmbonin shpirtin, por nuk duhet të humbisja besimin, nuk duhet ta lëshoja veten, ndaj vazhdova me atë që kisha menduar të bëja.

- Mirë, – i thashë. – Po sikur kjo dora jote, ky grushti yt të bashkohet me dorën time, me grushtin tim, si mendon se do të jenë? Të fortë apo të dobët?

- Nuk e di, – më dha të njëjtën përgjigje.

Nuk e humba toruan, nuk doja të ndodhte.

- Po si nuk e ditke, moj shpirte? Sigurisht që do të jenë të fortë. Shiko sa të ngjeshur që janë, sa të puthitur,sa të fortë.

Ndërkohë që i flisja kështu ia shtrëngoja grushtin e dorës së djathtë me dorën time. Ia shtrëngova fort dhe e pashë në sy në një mënyrë kuptimplotë. Më pas me dorën tjetër mbështolla dy duart tona të bashkuara. Në atë çast edhe dora tjetër e saj, e cila deri atëherë kishte qëndruar e futur mes këmbëve, u afrua dhe iu bashkua tri të tjerave. Kjo më gëzoi. Nuk prita gjatë, por e shkëputa grushtin tim nga i saji. Ia kapa të dyja dhe ia bashkova me njëra – tjetrën; gishtat e saj u ndërlidhen. Ia futa në pëllëmbët e mia ato grushte të vegjël, të bardhë, të bukur dhe nisa t’ia puthja me zjarr të madh. Nuk flisnim. Ajo më shihte në heshtje, në fytyrë i dukej një çast prehjeje dhe s’i vinte asnjë fjalë.

- Kështu do të të trajtoj gjithnjë, ta dish këtë, e ndiej me zemër që të dua dhe s’mund të sillem ndryshe.

- Je njeriu më shpirtmirë! Njeriu më fisnik që kam njohur ti je! Sa do të doja të mos ekzistonte ai! Të mos ekzistonte fare, të mos kishte të bënte me mua, në mënyrë që në mendje të të kisha vetëm ty.

- Nuk ka gjë, bukuroshe, nuk ka gjë. Edhe kështu mund të jemi të lumtur. Se ti, moj shpirte, ende nuk më njeh mua se si jam. Kurrë s’e kisha menduar se mund të doja dikë, por ja që ndodhi, dhe… dhe në ç’mënyrë!

- Të kërkoj të falur me gjithë shpirt për gjithë këto që të kam bërë të heqësh prej meje, por që tani e tutje të betohem që do të përpiqem të jetoj më mirë, do të mundohem të ta dëgjoj fjalën. Gjërat janë siç thua ti. Ndoshta mund të jemi edhe ne të lumtur, kurrë nuk i dihet… Po të shpresojmë te Zoti… – përfundoi ajo dhe një buzëqeshje e bukur iu vizatua në fytyrë.

- Sigurisht që mund të jemi! – e mora fjalën unë më energjik se kurrë. – Sigurisht që mund të jemi shpirtja ime e vogël. Mendoj se gjërat duhen lënë të rrjedhin natyrshëm. Nuk duhet të nxitohemi. Nuk të kam kërkuar gjë tjetër deri më sot përveçse një mundësi. Këtë ti po ma jep dhe duke të falënderuar pafundësisht, të bëj të ditur, pëllumbesha ime, që më ke bërë të lumtur sa me s’ka. Ja, më shih, dua të kërcej nga gëzimi e nuk ia dal dot. Se ndoshta ti edhe mund të çuditesh me këtë zemër të këtillë si kjo imja, por ja që kështu e kam, të dobët, dy fije shpirt kam. Gjithë këtë lumturi, ndoshta edhe s’e meritoj, nuk di ç’të them. Mos më lejo që të më zërë ndonjë ndjenjë faji, ta kërkoj këtë nder; këtë ta them, për arsyen se e njoh mirë veten.

E ndërpreva fjalën. S’e merrni dot me mend se sa i lumtur isha, vloja përbrenda, ndihesha zotërues i gjithçkaje. Ato fjalë të saj, ato pesë fjalë të saj, të ngrohta, të sinqerta, të buta, më kishin bërë të lumtur. Ah sa pak mjafton për të qenë i lumtur! Se ju, zotërinj, ndoshta edhe s’më kuptoni, por shpirtmirët e dobët, jua siguroj që kështu janë.

- Liza ime! – ia nisa përsëri. – Ç’është kjo lumturi e këtillë kështu? E vërtetë të jetë vallë? A do të më japësh një mundësi? Si? Do të ma japësh pra? Ma ke dhënë? Ah, të falënderoj o zemër, të falënderoj shumë. Ah si ndihem! Sa i dobët që jam! Mos vallë nuk do ta përballoj gjithë këtë lumturi? Se ja, imagjinoj se mund të jemi bashkë, mund të shëtisim bashkë, të bisedojmë e të më rrëfesh për veten, për fëmijërinë tënde, për gjithçka tënden; përfytyroj me dashuri se do të përqafohemi gjithnjë, se ndoshta edhe… do të të puth. (Ndjeva që u skuqa kur i shpreha atë dëshirë kaq të madhe). Do të jetë bukur, princeshë, shumë bukur do të jetë, më beso! Por t’i lëmë këto tani, ka kohë për këto, shpejt është, duhet të rrjedhe edhe shumë ujë deri atëherë. Po mirë, moj shpirte, ç’është kështu me mua sot, jam i lumtur e të qëndroj kështu larg! Dhe kujt kështu? Ty të qëndroj larg! Afrohu, zemër, afrohu të të përqafoj. Ja pra kështu, të t’i puth doçkat e vockla, të ëmblat, të ftohtat doçka. Pa m’i jep të t’i ngroh, ja kështu, shumë mirë kështu. Të dua shumë, ta dish këtë! E sheh sa të lumtur që jemi? Ja kështu të bashkuar, në vetminë tonë, se ky fat na ra. Ta kam thënë prej kohësh, shpirtra të humbur jemi ne, por, tek e fundit, moj shpirte, ç’rëndësi ka kjo!? Na mjafton që të jemi bashkë, të bashkuar, me besim te Zoti, me shpresë të madhe. Nuk po arrij të përmbahem dot, të dua kaq shume sa ndiej se do të plas nga dashuria, do të shpërthej fare. Nuk e di, zemër e vogël, ndoshta po flas ca si tepër, ndoshta edhe budallallëqe… gjëra pa lidhje… por ja që kështu ndihem…

S’po dija se çfarë të thosha më. E shihja me admirim të veçantë, e admiroja, e doja me shpirt. E përqafoja, i puthja duart, pastaj hundën e lëmuar, vetullat e bukura, faqet e nxehta e pak të kuqe, ballin e bardhë borë, flokët sensuale të zeza pis. E puthja kudo, pastaj u ngrita, u hodha përpjetë, u largova disi, gati sa s’po çmendesha nga gëzimi, nga lumturia e madhe. E ndieja që nuk po e përballoja dot. Iu afrova përsëri; ajo më shihte e habitur, me ëmbëlsinë e përhershme dhe s’fliste asnjë fjalë, s’dinte ç’të thoshte. Përplasja duart, i bashkoja me të sajat, i hetoja gishtërinjtë një nga një dhe pasi ia shihja mirë e mirë, ia puthja me zjarr të madh. I prekja hundën me dorë, ia shtypja me të lehtë, plot dashuri. Nuk po zgjatem më të përshkruaj se ç’bëja më tej sepse e di që njerëzit e lumtur bëhen të padurueshëm kur rrëfejnë çastet e tyre të lumtura. Por nuk ndenjëm edhe shumë, për arsyen se nuk donte që të vonohej në shtëpi. Kjo ishte ndarja më e lumtur që kishte ndodhur ndonjëherë mes nesh. U përqafuam edhe një herë të fundit, e putha në faqe, këtë radhë, plot drojë, disi afër buzës. E pashë që u vu pak në siklet, por nuk e bëra qejfin qeder, i dhashë të drejtë. Pasi kaloi edhe rrugicën më të fundit të dukshme të parkut, fillova të ecja drejt shtëpisë sime…

Copëza. (1)

Kam vënë një kapele republike në kokë, mbaj kostum terital gri të hapur dhe një bastun në dorë, më shumë për ta bërë paraqitjen time pak ekzotike sesa për ndonjë nevojë. Këpucët i kam të bardha, verore. Mbaj dhe një trëndafil te kostumi në xhepin lart. Mesi nuk më dhemb më, megjithëse doktorët duhet të përfshijnë në receta këshilla të posaçme për pleqtë e ndjeshëm si puna ime...

Këto ditë po ndjekin shpejt njëra-tjetrën këtu në shtëpinë tonë në fshat. Ti nuk para vjen, se po ndjek hallet e fisit. Edhe unë përfitova nga rasti të të bëj një surprizë me lulet e reja që po mbjell këtë pranverë. Në maj, të kam gati një dhuratë. hëhëhë... po qesh e kollitem, kollitem e qesh kur të mendoj si do e bësh fytyrën kur ta shohësh. Për kollën fajin e ka cigarja, po pa të koha nuk shtyhet dhe për këtë të fundit fajin e ke vetë. Më shmangesh, duke gjetur nipërit sebep as tregon ndonjë dashuri të madhe më për mua plakun. Nipçja i madh na kapi një herë në një skutë kështu duke bërë veprime të dyshimta, po ty s’të ka thënë gjë. Mua më tha, pse e kape gjyshen nga gjoksi? Rrudha ballin për të marrë një qëndrim sa më serioz të mundshëm edhe ia ktheva se gjyshja kishte tension. Se besoj ta ketë ngrënë gënjeshtrën. Edhe për këtë fajin e ke vetë, se ty të ngjan.

Më pëlqen të mbjell pemë këto kohë, kopshti është plot. Dua të lë diçka pas... gjithnjë e kam pasur merak. Ndonjëherë bëhem zevzek, se ufffff më ke lënë vetëm dhe gjithnjë e më shpesh ndodh të nevrikosem kur s’të kam afër. Po këtu majë kodrës ku ndodhem tani është bukur. Era që fryn më mbështjell fytyrën e më trazon flokët, kapelen e kam lënë mënjanë. E ndiej flladin nëpër thinja, vjen lehtë e i ëmbël si përkëdheljet e tua. Bën pak ftohtë, e tani që e mendoj mirë.. më mirë të ftohem pak, të gjesh sebep të më kesh kujdes. Çfarë nuk shpik mendja ime e plakut vetëm të të rri afër. Meraku ty të bën gjithnjë të brishtë si lulet që unë mbjell në kopsht. Sa t’i shoh të lëshojnë pak rrënjë është meraku im, pastaj do më kënaqet syri duke i soditur. Ti nuk do i shikosh dot akoma. Dua të jenë të plota e të çelura kur të t'i tregoj. Kështu do të ndrijnë më shumë sytë e mbase, po të jemi vetëm, do m’i lagësh pak buzët e thara me të tuat.

http://busulla.blogspot.com

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›