E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjesa e harruar e atdheut

Prej ditësh, shirat kanë ndjekur qetësisht ritmin e tyre, harta e vendit është tejet e kërcënuar, kurse administrata shqiptare pak trazohet për çka ndodh. Në Tiranë edhe bie, edhe nuk bie shi.


Por, probleme (për të cilat nuk ndihet askush) ka pothuaj në të gjitha rrethet e vendit. Reshjet e shiut vazhdojnë të përmbytin dhe të nxjerrin jashtë përdorimit rrugë të para e të dyta, banesa e toka bujqësore.

Ka pak preokupim për zonat, që jetë e mot janë përmbytur, si Lezha apo edhe disa hapësira të Laçit, të Shkodrës, etj. Një pjesë e problemeve lidhen edhe me kujdesin e pakët gjatë punimeve në rrugë të ndryshme, që nga ajo Rrëshen-Kalimash, tek Qafa e Plloçës dhe bypass-i Rogozhinë-Plepa.


Për këtë të fundit, edhe drejtuesit e Hekurudhës Shqiptare janë të shqetësuar, sepse rreziku i shembjes së trasesë është i mundshëm, pasi janë cenuar 5 km trase.


Duhet të kujtojmë se në dimrat e shkuar ka patur rrëshqitje edhe në Maminas (përgjatë hekurudhës Durrës - Tiranë,) si dhe në atë Vorë - Shkodër, në Mamurras, etj. Herë pas here ka pasur shkarje masive dherash nga kodra e Durrësit në rrugë dhe mbi banesa. Janë regjistruar shembje masive të tokës në rrugën Elbasan - Librazhd.


Prej muajsh (në mos prej vitesh) 15 familje në Gurë-Shpatë, rrethi i Librazhdit, kanë qenë ekstremisht të rrezikuar, për shkak të rrëshqitjes (herë pas here) të gurëve, dherave e inerteve.


Shkarjet masive dhe lëvizjet tektonike të tokës rrezikojnë edhe disa familje në dy fshatra të Qarkut të Korçës, ndërkohë që Shtabi i Emergjencave ka marrë aty disa masa paraprake për të evituar ndonjë katastrofë të mundshme.


Është fjala për shkarjen e një masivi shkëmbor në fshatin Arëz (komuna Miras) në rrethin e Devollit. Situatë jo më pak e rënduar në Trebinjë të Pogradecit, ku si pasojë e një rrëshqitjeje toke, u rrezikuan 7 banesa


. Rrëshqitja e dheut kishte prekur më parë (le ta themi kohë pas kohe) edhe një nga akset rrugore nacionale, atë Korçë-Liqenas, çka është edhe një nyje lidhëse midis zonës Juglindore të vendit dhe Republikës së Maqedonisë.


Fryrja e lumit të Vjosës rrezikon hera-herës të përmbytë qindra hektarë tokë dhe një sërë fshatrash në zonën e Fierit, çka ndodh edhe në Çorovodë, kur zemërohet Osumi. Në rastet e kushteve ekstreme të motit, kanë ndodhur edhe skena makabre. Në Pogradec dhe në Fier, (si edhe në Librazhd), rrëshqitjet e dherave kanë dëmtuar deri varrezat e qyteteve.


E gjithë kjo panoramë (edhe kështu mjaft e mangët) duket si një gjë e tepërt. Dhe, sot e gjithë ditën, duhet thënë: shumë shi, pak lajme. (Me çka nënkuptojmë se nuk ndihet askush dhe se mungojnë masat, me të cilat duhen parandaluar, kurse tani përballuar disi, këto situata të pazakonta.) Kështu pra, në Tiranë, edhe bie, edhe nuk bie shi. Dhe ajo që mbetet gjithnjë në plan të parë, janë debatet për sondazhet dhe për fatin e partive e të partiçkave lloj-lloj.


Kjo, madje, është sot një nga zhurmat kryesore që nuk lejon të dëgjohet asgjë në lidhje me shiun që bie pa pushuar, në lidhje me rrugët që bllokohen, në lidhje me kodrinat dhe fragmentet e maleve që shemben.


Sipas të dhënave të Institutit të Studimit të Tokave, humbjet vjetore të tokës, si rezultat i gërryerjes sipërfaqësore, llogariten mesatarisht në rreth 25 ton/ha/vit. Këto shifra e klasifikojnë Shqipërinë si vend me erozion shumë të lartë dhe mbase vendin me nivel me të lartë të erozionit në të gjithë rajonin e më gjerë.

Ekspertët cilësojnë si toka të predispozuara për t'u gërryer rreth 30 % (erozion i lartë) dhe toka të predispozuara mesatarisht për t'u gërryer rreth 50% (erozion mesatar). Por, ky rrezik i madh as që merret në sy, ndërsa lavatriçet anembanë atdheut punojnë pareshtur...Dhe shkruesit gjithfarë rrënojnë veten dhe talentin e tyre të pakët, duke ironizuar sondazhet dhe sondazhebërësit(!)


Është e trishtueshme, por mund të thuhet me gojën plot se indiferenca pasqyrohet gjer edhe në mosparaqitjen asfare të gjendjes. Asfare. Sikur nuk ka ndodhur e nuk ndodh asgjë. Mjafton t'u hedhësh një sy site-ve të qeverisë, të prefekturave e të bashkive, për të kuptuar se në zyrat e ngrohta të pushtetit, shiu nuk ndjehet.


Asgjë për situatën nuk gjen në faqen e internetit të disa ministrive, që nga ajo e Bujqësisë deri tek e Transporteve, ndërkohë që i kushtohet shumë vend luftës politike, goditje të pareshtura ndaj kundërshtarëve politikë të "shefave", përpjekje për t'i cilësuar "të poshtra" të gjitha sulmet apo edhe kritikat e drejta të opozitës.


Disa bashki e prefektura, në faqet e tyre të internetit, kanë ende përshëndetje (hartime më mirë) kryetarësh që nga vitet 2006-2007 dhe asgjë për gjendjen reale të qytetarëve të tyre e të tokës. Një shurdhëri e habitshme. Edhe shumë nga mediat, duket se e kanë lënë në fatin e vet një pjesë të mirë të hartës së përmbytur të vendit.


Nëpër studiot e shumë televizioneve, të ngjyrosura e të stolisura si gomarë arixhinjsh, asnjëherë nuk bie shi e nuk ka përmbytje. Ka vetëm festa.


Aty ftohen, argëtohen dhe promovohen pareshtur lloj-lloj politikanësh e vajzash me hiret të zbuluara, nganjëherë edhe psikopatë. Kështu që nuk ka kohë dhe as preokupim për t'ua qarë nga pak hallin atyre që mbeten pa shtëpi; pothuaj mungon solidariteti me ata që përmbyten, me tokë e me gjë të gjallë; dhe asnjë lloj "vizatimi" për shkatërrimin e rrugëve dhe për vithisjen e dherave. Por, edhe tokat e përmbytura dhe njerëzit hallexhinj vetëm heshtin, ndërkohë që "fanfara" e reformave dhe e zhvillimit, bëhet nganjëherë më shumë se e mërzitshme. Veçmas, në ditët me shi e përmbytje. Por ne prapë shkojmë me shpresa; sepse e thotë edhe Fishta: "Edhe kështu, moti tue ardhë/ Dikur dita ka me zbardhë/ Që shqyptarët të bijn m'hulli..." (Shqyptarija e qytetnueme)

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›