Durrës - Rrogozhinë, do të ndryshohet projekti
DURRËS - Projekti i superstradës Durrës-Rrogozhinë pritet të pësojë ndryshime. Kërkesa e bërë nga kryetari i Komunës së Golemit, Agron Agalliu, për të bërë disa ndryshime në projektin e rrugës nacionale Durrës-Kavajë-Rrogozhinë, duket se është marrë parasysh nga Ministria e Transporteve.
Pretendimet e ngritura nga Komuna e Golemit kanë të bëjnë me vështirësitë e qarkullimit të pushuesve dhe izolimit të biznesit në të dy krahët e rrugës.
Është parë si domosdoshmëri ndërtimi i rrugëve paralele me superstradën Durrës -Rrogozhinë, në mënyrë që ecuria e biznesit të jetë e pavarur nga aksi kryesor. Pra, qarkullimi i turistëve dhe të interesuarve për biznes të realizohet nëpërmjet rrugëve paralele.
"Nuk jemi kundër zhvillimit infrastrukturor të vendit, por kur ky zhvillim bëhet pengesë për rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe realizimin e objektivave në sektorët e hoteleri-turizmit dhe biznesit në përgjithësi, kemi të drejtën të kundërshtojmë, - tha Agalliu.
Disa nga detajet e projektit që janë kundërshtuar nga Komuna Golem janë nënkalimet e pakta të parashikuara për ndërtim, si dhe rrethrrotullimi që do të bëhet rreth 200 metra larg nënkalimit aktual të Golemit.
Ky rrethrrotullim është konsideruar si burim aksidentesh dhe që bëhet pengesë për trafikun, pasi të gjitha automjetet që duan të ndryshojnë drejtim lëvizjeje, duhet të bëjnë xhiron rreth tij, gjë që vonon qarkullimin.
Sugjerimet e bëra nga seksioni i urbanistikës së Komunës Golem janë marrë në konsideratë nga Ministria e Transporteve dhe pritet që zbatimi i punimeve t'i përshtatet projektit të ndryshuar tashmë.