E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënuan të riun, dy në pranga

KORÇË- Kërcënojnë 25-vjeçarin, përfundojnë në prangat e policisë. Dy banorë të rrethit të Vlorës kanë udhëtuar një ditë më parë drejt Korçës për të kërcënuar një të ri në këtë qytet për një borxh, por pas këtij momenti kanë përfunduar në policinë e këtij qyteti. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të martës.


Maksi Dhamaj 40-vjeçar bashkë me Erjon Dhëmbin, 25 vjeç, nga fshati Selenicë në Vlorë kanë mbajtur për disa minuta peng 25-vjeçarin nga Korça Andrea Çollaku, të cilit i kanë kërkuar të kthejë një borxh prej 5500 eurosh.


Çollaku këtë shumë ia ka marrë hua një të afërmi të dy personave të lartpërmendur disa kohë më parë, por nuk e ka shlyer. Pasi ka shpëtuar nga ky kërcënim, Çollaku i është drejtuar policisë e cila ka prangosur dy personat.


Fier, groposen 200 kg cianur

FIER - Krahas groposjes së një sigurie të lartë të arsenikut në ish-uzinën e Azotikut Fier muaj më parë, dje ka nisur edhe largimi i një sasie lëndë helmuese po aq e rrezikshme si ajo e arsenikut. Bëhet fjalë për zhvendosjen nga ish-azotiku i Fierit të 200 kilogramë cianur dhe mbetje të tjera kimike të cilësuara të rrezikshme. Procesi i transportimit është kryer dje paradite nga reparti i inspektim-shpëtimit të minierave nga Tirana me një mjet të posaçëm. Destinacioni i tyre kanë qenë depot kombëtare të helmeve në Elbasan, ku dhe masat e sigurisë janë tepër të larta. Ky proces është mbikëqyrur me masa të forta të sigurisë si gjatë transportimit dhe lëvizjes së kësaj sasie deri në destinacionin e parashikuar, të shoqëruar edhe nga uniformat e policisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›