Nacionalizmi, protesta në Gjirokastër
PROTESTA/ Ora e përcaktuar ka mbledhur në qytetin e gurtë qindra persona me thirrje patriotike
Të hënën pritet të jepet vendimi për dy të rinjtë që protestuan në Tepelenë kundër Bollanos
GJIROKASTËR- Dhjetëra flamuj kombëtarë, këngë e thirrje patriotike përfshijnë Gjirokastrën. Të ardhur nga shumë rrethe të vendit, anëtarë të shoqatave atdhetare janë bërë pjesë e protestës në mbështetje të dy të rinjve nga fshati Toç, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili.
Ata akuzohen për "organizim të protestave të paligjshme" pasi protestuan kundër Bollanos. Seanca gjyqësore e radhës u zhvendos në qytetin e gurtë, dhe jo në Tepelenë, pikërisht për shkak të protestave të shumta që po zhvilloheshin, megjithatë kjo nuk e ka penguar zhvendosjen edhe të protestuesve, të cilët e kanë quajtur një turp për identitetin e kombit, gjyqin ndaj dy të rinjve. Vendimi për Hasanbegajn e Halilin pritet të jepet të hënën.
Protesta
Zhvendosja e gjyqit drejt Gjirokastrës ka sjellë rrjedhimisht edhe protestat në qytetin e gurtë. Rituali i tubimeve para gjyqit është zbatuar me përpikmëri edhe gjatë ditës së djeshme.
Siç ishte lajmëruar, ora 09:00 ka mbledhur qindra persona, por jo në sheshin "Çerçiz Topulli", ku edhe ishte parashikuar të zhvillohej, por në pjesën e poshtme të qytetit. Ndërmjet dhjetëra flamujve kombëtarë të përmasave të ndryshme, spikasnin edhe dy flamuj të zinj me kryqin e thyer, simbol i nazizmit, me të cilët identifikoheshin grekët dhe serbët. Ndërsa kanë vlerësuar nismën e Orgen Hasanbegajt dhe Luan Halilit, protestuesit i kanë bërë sërish thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që t'i kërkojë prokurores së Përgjithshme ndjekje penale për prefektin e Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano.
Pas tubimit, të gjithë protestuesit me thirrjet "O sa mirë me qenë shqiptar" kanë përshkuar shëtitoren kryesore të qytetit, ndërsa pritja disaminutëshe para portës së gjykatës është shoqëruar me këndimin e himnit kombëtar.
Gjyqi
Ka qenë e pamundur që në sallën e gjyqit të hynin të gjithë pjesëmarrësit në protestë, për shkak të numrit të lartë.
Tri dëshmitarë të tjerë kanë dhënë versionin e tyre para trupit gjykues, duke i dhënë fund kështu marrjes së dëshmive. Pas dëshmive, prokurori i çështjes, Përparim Mele, në pretencën e tij ka kërkuar shpalljen fajtor të Orgen Hasanbegajt e Luan Halilit për veprën penale të "organizimit të tubimeve të paligjshme" dhe dënimin e tyre me 100 mijë lekë të rinj për secilin.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Xhaferr Meçe, ka kërkuar lirimin e dy të rinjve nga akuza e ngritur dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Data 16 shkurt do t'i japë fund këtij gjyqi, pasi këtë ditë trupi gjykues do të japë edhe verdiktin, ndërsa dy të rinjtë kanë deklaruar apelimin e mëtejshëm nëse do të shpallen fajtorë.