E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria ekonomike *

Liria ekonomike, në një konceptim të thjeshtë, është e drejta bazë e çdo qenieje njerëzore për të administruar e kontrolluar punën dhe pronën e vet. Pra, në një shoqëri ekonomikisht të lirë, individët janë të lirë të punojnë e prodhojnë, të konsumojnë dhe investojnë në mënyrën sesi u pëlqen atyre, me një nivel lirie sa të mbrojtur nga shteti po aq dhe të pa shtrënguar prej tij.

Madje, në shoqëri të tilla, puna, kapitali dhe mallrat, lëvizin lirshëm, brenda kufizimeve të lirisë që e mbrojnë atë. 10 faktorët kryesorë të kësaj lirie në nivel kombëtar (sipas Heritage Foundation/Wall Street Journal) janë: liria e biznesit, liria tregtare dhe ajo monetare, përmasa qeveritare, liria fiskale, të drejtat e pronës, liria e investimit e ajo financiare, liria për t'iu kundërvënë korrupsionit dhe liria e punës.

Pikërisht, IEF-ja apo indeksi mesatar i lirisë ekonomike (Index of Economic Freedom) është një seri matjesh të tilla ekonomike, që përcaktojnë nivelin e lirisë ekonomike në vendin përkatës.

Bile, ky indeks, i perceptuar që më 1995-ën, në thelbin e tij nënkupton: "formën më të lartë të lirisë ekonomike, që përfshin një të drejtë të plotë për pronën private, lirinë maksimale mbi lëvizshmërinë e punës, kapitalit e mallrave, një mungesë maksimale koerciteti e kufizueshmërie të lirive ekonomike, me përjashtim të kushtëzimeve të domosdoshme në mbrojtje të qytetarëve dhe të vetë lirive të tyre...". Krahas IEF-së, është formuluar dhe një tregues tjetër i ngjashëm, i quajtur EFW-ja apo liria ekonomike e botës (Economic Freedom of the World).

Për llogaritjen e IEF-së, secili nga 10 faktorët e përmendur më sipër matet në një shkallë qindëshe, ku vlera 100 jep lirinë përkatëse maksimale dhe shuma e tyre (e pjesëtuar me 10) jep vlerën mesatare të IEF-së.


Sipas kësaj vlere mesatare, për çdo vend bëhet dhe kategorizimi mesatar: i lirë, pothuajse i lirë, me liri të moderuar, pothuajse jo i lirë, jo i lirë dhe i "jo shkallëzuar". Sidoqoftë, pavarësisht nga treguesi konkret (IEF apo EFW), liria ekonomike është një kusht i nevojshëm në zhvillimin demokratik. Ajo shpreh çlirimin e njerëzve nga varësia prej qeverisë, siç ndodh në rastin e një ekonomie të planifikuar, duke u mundësuar individëve që të realizojnë vendimet e tyre të pavarura apo zgjedhjet e veta ekonomike e politike...

Sipas Freedom House "ekziston një korrelim statistikisht i lartë midis nivelit të lirisë politike të matur nga Freedom House dhe të lirisë ekonomike të përcaktuar sipas vrojtimeve të realizuara nga Wall Street Journal/Heritage Foundation".

Sidoqoftë, të dy treguesit për lirinë ekonomike: IEF-ja dhe EFW-ja janë dy indekse që synojnë të matin shkallën e lirisë ekonomike në nivel kombëtar, njëri në një shkallë qindëshe dhe tjetri në shkallë dhjetëshe. Sa për ilustrim, më poshtë jepen disa të dhëna të tyre të viteve të fundit.

- Në vitin 2008 (për 157 vende), sipas IEF-së, vendi që vazhdon të rezultojë me liri ekonomike maksimale është Hong Kongu, me tregues 90.3 (në totalin e 100 pikëve). Kurse Shqipëria ndeshet në pozicionin e 56-të, me tregues 63.3, ndërkohë që për vendet fqinje kemi, përkatësisht, sipas radhitjes: Bullgaria (59) me 62.9 pikë; Italia (64) me 62.5; Rumania (68) me 61.5; Maqedonia (71) me 61.1; Turqia (74) me 60.8; Sllovenia (75) me 60.6; Greqia (80) me 60.1; Moldavia (89) me 58.4; Kroacia (113) me 54.6; Bosnja (121) me 53.7.



- Pak më ndryshe jepen këto të dhëna të IEF-së në "siglën" e vitit 2009 (për 183 vende). Edhe aty, në vend të parë është Hong Kongu, me tregues 90.0 +(0.3); ndërsa për Shqipërinë dhe vendet fqinje kemi: Bullgaria (56) me 64.6 pikë; Shqipëria (kalon nga pozicioni 56 në 62) me 63.7 pikë; Rumania (65) me 63.2; Sllovenia (68) me 62.9; Turqia (75) me 61.6; Italia (76) me 61.4; Maqedonia (78) me 61.2; Greqi (81) me 60.8; Mal i Zi (94) me 58.2; Serbia (109) me 56.6; Kroacia (116) me 55.1; Moldavia (120) me 54.9; Bosnja (134) me tregues 53.1.



- Për EFW-në (viti 2007 e 2008), si gjithmonë në pozicion të parë është Hong Kongu, me tregues të lirisë ekonomike (në shkallë dhjetëshe) të barabartë me 8.9.

Disa të dhëna në këtë rast (si radhitje grup-vendi dhe vlere të këtij treguesi) për Shqipërinë dhe vendet fqinje, janë: 52 Itali 7.0; 56-57 Bullgaria 6.9; 56-57 Greqia 6.9; 60-67 Mal i Zi me 6.8, 76-78 Moldavia 6.5; 82-85 Kroacia e Rumania me 6.4; 86-90 Maqedonia me 6.3; 91-96 Sllovenia dhe Turqia me 6.2; 97-100 Shqipëria e Bosnja me 6.1; 123-126 Serbia me 5.4.

Siç duket, treguesi i dytë i lirisë nuk rezulton i mirë për ekonominë shqiptare, krahasuar me vendet fqinje. Bile, Shqipëria dhe Bosnja me treguesin e njëjtë 6.1, lënë pas vetëm Serbinë.

Nga ana tjetër, një rezultat i tillë, ku konsiderohen në llogaritjen e këtij treguesi edhe zërat e lidhura me të drejtat politike e liritë civile, flet për mangësi në proceset tona demokratizuese.

Edhe pse ingredientë çelës të lirisë ekonomike mbeten zgjedhja personale, shkëmbimi vullnetar, hapja e tregjeve dhe liria e konkurrencës, mbrojtja e personit dhe e pronës së tij, kërkimi empirik i deritanishëm ka dëshmuar se liria ekonomike e ka rritur jo vetëm prosperitetin, por dhe ka çuar në zhvillime demokratike të lirive të tjera...



Parë në tërësi, treguesi i lirisë ekonomike të botës (EFW-ja) është rritur në mënyrë të konsiderueshme në rrjedhje të viteve, duke lëvizur nga vlera afro 5.2 (në vitin 1980) tek vlera gati 6.6 në periudhën e tashme.

Kurse, duke shfrytëzuar indeksin e lirisë ekonomike (IEF-në), na rezulton se liria ekonomike në botë ka pasur një rritje me 2.6 pikë që nga viti 1995. Sidoqoftë, treguesi i dytë (IEF-ja), sipas aspekteve që mbulon, del më i përdorshëm (p.sh., për BB-në) si tregues i klimës së investimeve.


Po ashtu, EFW-ja është shfrytëzuar më shpesh në kërkimin akademik. Ajo, në orientimin e vet, është më afër përcaktimit të lirisë brenda modelit "laisser-faire" të kapitalizmit. Ky tregues flet edhe për shkallën, në të cilën politikat konkrete dhe institucionet e një vendi janë mbështetëse të lirisë ekonomike.


Akoma më i shfrytëzueshëm del ky tregues kur bëhet fjalë për pronën, madje ai nënkupton, për më tepër, se prona e fituar në mënyrë ligjore, pa manipulime e vjedhje, pa shfrytëzim force, duhet të mbrohet me domosdo nga të pushtuarit e saj prej një personi apo strukture tjetër; se i zoti i saj mund ta shfrytëzojë atë në mënyrë të lirë, ta shkëmbejë atë apo ta japë me qira tek persona të tjerë, për aq kohë sa këto veprime nuk dhunojnë të drejta identike të tjerëve...


Si kolona të lirisë ekonomike janë, në radhë të parë, zgjedhja personale në krahasim me atë kolektive, shkëmbimi vullnetar i koordinuar nga tregu e jo nga marifetet politike, liria për t'u përfshirë në treg dhe për të garuar aty; mbrojtja e individit dhe e pronës së tij nga agresioni i të tjerëve.


Në praktikë, vetë indeksi përmban: përmasën qeveritare (shpenzimet, taksat e ndërmarrjet e saj), strukturën legale, sigurinë apo garantimin e të drejtave të pronës, një përdorim të parasë së shëndetshme, liri pjesëmarrjeje në tregtinë e brendshme dhe të jashtme, rregullime të kreditit, punës dhe biznesit, etj.

Disa nga parametrat e matura janë, p.sh., dhe ato që lidhen me taksat, shkallën e pavarësisë juridike, normat e inflacionit, kostot e importit, rregullimet e çmimeve, etj...


Shumë kohë më parë, ekonomistë të shquar këmbëngulnin se liria e shkëmbimit dhe koordinimi i tregjeve përbënin "karburantin" e progresit ekonomik.

Bile, as mund të përfytyrohej pa këtë shkëmbim dhe aktivitetin ndërmarrës (të koordinuar nëpërmjet tregjeve), që të arriheshin standardet e arritura të jetesës. Por, shumë gjëra janë tronditur jo pak këtë vitin e fundit.

Për arsye të krizës financiare, shfaqen kudo ndërhyrjet e fuqishme qeveritare, deri të afërta me "teknologjitë" socialiste. Në kushte të tilla, një problem i ri shtrohet edhe për konceptimin e lirisë ekonomike apo i treguesit të saj mesatar.


Të paktën, duke pasur parasysh ndërhyrjet e sotme në ekonomi dhe kontrollet përkatëse qeveritare në institucionet bankare e financiare, pra një "metodologji" krejt tjetër nga ajo e "laisser-faire". Dhe, po ashtu, duke ridimensionuar parametrat ekonomikë në korrelacion të ngushtë me të drejtat politike e liritë civile...

* Titulli i plotë: "Për një konceptim shumë më ndryshe të "lirisë ekonomike"

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›