Zbulohet banda e grabitjes së makinave, 3 në pranga
Operacioni i koduar "Anteo", arreston tre persona një prej tyre pronari i një servisi të dyshuar si autorë të vjedhjes 31 mjeteve
Pas bllokimit të mjeteve dhe operacionit, Forcat Speciale kanë marrë në "dorë" ruajtjen automjeteve të bllokuara
TIRANE- "Anteo" çon në qeli tre persona të dyshuar si "specialistë" në vjedhjen automjeteve dhe të tjetërsimit të pronsisë së tyre. Policia ka bllokuar 31 mjete, pa dokumente dhe numra shasie të dyshuar si të vjedhura, si dhe një sende të ndryshme me të cilat dyshohet se janë kryer vjedhjet e shumë automjeteve në kryeqytetet dhe në zonë.
Bukat Ymeri, 42-vjeç banues në Kurbin, pronar i një servisi dhe një varreze automjetesh, Arjan Zefi, 20-vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç dhe Urim Jella, 27-vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë janë tre të prangosuri. Ata akuzohen për veprën penale të "vjedhjes së automjeteve në bashkëpunim".
Burime nga policia thanë se tre personat dyshohet me njëri-tjetrin vidhin automjete në kryeqytet dhe më pas i shisnin ato me pjesë duke i çmontuar në një pikë riparimi në në Fushë-Milot.
Arrestimet
"Gjatë muajit janar dhe fillimit t shkurtit nuk arrinim të merrnim fryëm nga vjedhjet e automjeteve", pohoi mbrëmë për "Shekullin", një nga hetuesit e çështjes, sipas të cilit, zyra e tyre, gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti kishte regjistruar denoncime në shifra të larta të automjeteve.
Këto ngjarje si dhe të tjera në të mëparshme, dukej se iu ishin kthyer në rebus hetuesve të vjedhjes së automjeteve, ndërsa thuajse çdo natë organizonin shërbime ndaj këtij fenomeni.
Pak ditë më parë, blutë në një grackë kapën Taulant Turkun, një nga bashkëpunëtorët e dyshuar të grupit, lidhjet e të cilit policia ka nisur t'i verifikojë.
Ndërsa kishin kryer disa verifikime, blutë kanë identifikuar si bashkëpunëtorë ë tij, edhe dy persona të kapur të hënën. Shërbimet e komisariatit të policisë nr.3, dy ditë më parë, kapën Arjan Zefin dhe Urim Jellën teksa po tentonin të vidhnin automjetin tip "Benz", në rrugën "Mine Peza" në kryeqytet. Menjëherë policia nisi verifikimet për të zbuluar në dy të arrestuarit rezultonin të implikuar në vjedhje të tjera të automjeteve.
Pas hetimeve policia zbuloi se dy të rinjtë kishin si bashkëpunëtor edhe Bukat Ymerin i cili posedonte një servis dhe një varrezë makinash në Fushë-Milot. Pas një kontrolli në këtë servis u gjet një automjet i markës "Mercedez -Benz", 240, që rezultonte i vjedhur në rrugën "Ali Demi" në Tiranë.
Dyshimet se makina ishte vjedhur nga të arrestuarit detyroi policinë të bllokojë pikën e riparimit të automjeteve dhe të sekuestrojë për verifikim rreth 31 automjete që ndodheshin aty.
Vjedhjet
Gjatë arrestimit të tyre, policia iu ka bllokuar autorëve një tufë çelësash dhe mjetin kryesor të vjedhjes së mjeteve një çelës heksagon, të cilët dyshohet se janë përdorur nga autorët në vjedhjet e kryera.
Sipas burimeve të policisë: Janë 31 automjete të markës "Mercedez- Benz", prodhime kryesisht të viteve 1986- 94, që janë pa dokumente përkatëse. PO ashtu sipas policisë atyre iu janë ndërruar apo fshirë numrat e shasive, ndoshta me dyshimin e riciklimit të tyre.
Automjetet, janë sekuestruar për tu verifikuar me qëllim zbulimin e tyre nëse janë të vjedhura, ndërsa aktualisht ruajtja e tyre është lënë në dorë të FNSH-së.
Policia dyshon se ato janë vjedhur nga të arrestuarit apo edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar në kryeqytet kryesisht në zonën e Tiranës së Re, thanë për gazetën burimet policore.
Burime nga policia thanë se dyshohet që autorët të posedonin çelësa të kopjuar vetëm për automjetet e markës "Benz" kryesisht ato të vitit të prodhimit 1986-1994.
Të arrestuar
Bukat Ymeri, 42-vjeç banues në Kurbin,
Arjan Zefi, 20-vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç
Urim Jella, 27-vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë
31 automjete janë bllokuar në servisin e Bukat Ymerit në Fushë-Milot, ndërsa policia dyshon se pjesa më e madhe e tyre janë të vjedhura të cilave iu janë ndërruar numrat e shasive, iu janë fshirë dhe nuk kanë dokumentacionin për to.
Bastisnin dyqane e lokale, pranga katër të rinjve
Ndalohen për një sërë vjedhjesh, katër të rinj nga Tirana. Specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Biznesit në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë së Tiranës, organizuan dy ditë më parë një operacion të koduar "Sharra", i cili përfundoi me goditjen e një grupi të rinjsh që dyshohet se kanë vjedhur disa dyqane e lokale në kryeqytet. L. Xh, 17-vjeç, E. H, 15-vjeç, Klaus Sula, 19-vjeç, dhe K. Ç , 17-vjeç, u ndaluan pasi akuzohen për veprën penale të "vjedhjes".
Policia çoi për ndjekje penale në gjendje të lirë edhe 23-vjeçarin Bledar Hushi, lindur dhe banues në Krujë, pasi dyshohet se është i implikuar në aktivitetin e katër të rinjve.
Burime nga policia thanë se ndiqet në gjendje të lirë. Ndalimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhjet e gjashtë dyqaneve në Tiranë, në nëntor të vitit 2008 dhe në muajin janar e shkurt të këtij viti.
Gjithashtu ata akuzohen se kanë vjedhur në muajin nëntor të vitit të kaluar një farmaci dhe tre lokale në muajin dhjetor në vende të ndryshme në kryeqytet.
-----------------------------------------------------------------
Tre të mitur nën akuzë për vjedhjen e një banese
Vodhën një banesë, ndiqen penalisht tre të mitur. Efektivat e komisariatit të policisë nr.1, në Tiranë zbuluan dy ditë më parë identitetin e tre autorëve të dyshuar të vjedhjes së një banese. SM, E.P, dhe F.S, të moshës 14-vjeç, dyshohet se kanë vjedhur një banesë me datë 2 shkurt të këtij viti në rrugën "Ali Demi" në Tiranë.
Pas denoncimit të pronarit të banesës policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se në rrugë operative kishte mundur të siguronte informacione se të dyshuarit kryesorë të kësaj vjedhjeje ishin disa të mitur.
Kështu dy ditë më parë u zbuluan emrat e tre 14- vjeçarëve të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundur të hyjnë në ambientet e banesës dhe të vjedhin sende me vlerë. Ata u shoqëruan në komisariatin e policisë nr.1, ku dhe u morën në pyetje.
Më pas ata u lanë të lirë për shkak të moshës së mitur ndërsa do të hetohen në gjendje të lirë për veprën penale të "vjedhjes" në bashkëpunim. Policia u sekuestroi të miturve dhe disa sende të cilat dyshohet se i kanë vjedhur.