E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjesëmarrja në votim më e lartë se më 2005-n

29/06/2009  Numër i lartë i votuesve në zgjedhje, Berisha-Rama vlerësojnë procesin

Pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e djeshme parlamentare ka qenë 2 për qind më e lartë se pjesëmarrja e qytetarëve që iu drejtuan kutive të votimit në zgjedhjet e fundit parlamentare në krahasim me ato të vitit 2005. Sipas burimeve, kanë shkundur votën e tyre ditën e diel, më 28 qershor, rreth 52 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në shkallë vendi. Institucioni kryesor i administrimit kryesor të zgjedhjeve ka publikuar shifrat përfundimtare për pjesëmarrjen në votime të qytetarëve në disa qytete të vendit. Sipas shifrave të KQZ-së, ndërsa Qarku i Gjirokastrës dhe i Kukësit shënojnë pjesëmarrjen më të lartë, me 53 për qind të votuesve kanë marrë pjesë në votim, Qarku i Vlorës shënon pjesëmarrjen më të ulët, me 36 për qind. Në mënyrë të zgjeruar pjesëmarrja në votime, sipas KQZ-së, në Lezhë ka shënuar 48 për qind, në Qarkun e Shkodrës votuan 42 për qind e qytetarëve, 48 për qind ka qenë pjesëmarrja në Qarkun Fierit, në Qarkun e Tiranës është shënuar një pjesëmarrje prej 50 për qind, në Vlorë votuan 36 për qind e qytetarëve, në Dibër pjesëmarrja ishte 43 për qind, në Berat votuan 46 për qind, ndërsa në Qarkun Kukës pjesëmarrja ishte 53 për qind. Ndërkohë i llogaritur sipas rretheve, konkretisht rrethi i Hasit sipas krerëve të njësisë vendore shënon 65 për qind të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në procesin zgjedhor. Në këtë rreth janë mbyllur të 21 qendrat e votimit, ku ishin të regjistruar 13 210 zgjedhës. Ndërkohë në rrethin e Tropojës kanë votuar 55 për qind e votuesve të regjistruar. Në këtë rreth kishte 76 qendra votime, ku ishin të regjistruar 23 230 votues, prej të cilëve rezulton se kanë votuar 13 730 shtetas. Rreth 5 për qind më pak shënohet pjesëmarrja në Qarkun e Gjirokastrës, pra rreth 50 për qind, një shifër kjo tepër e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare. Në rrethin e Kukësit, ku ka 100 qendra votimi, janë të regjistruar 39539 zgjedhës dhe kanë votuar 23.215 zgjedhës, ose 55,71 për qind e tyre. Ndërsa në Bashkinë e Elbasanit 45 për qind e zgjedhësve votuan deri në orën 17:30 të ditës së diel në 96 qendrat e votimit në këtë qytet. Pjesëmarrja është vlerësuar e kënaqshme dhe masive, më shumë se çdo proces tjetër i zhvillua në vendin tonë edhe nga dy garuesit kryesorë të kësaj gare të madhe zgjedhore, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, kur numri i zgjedhësve që votuan për të zgjedhur deputetët e tyre në Kuvendin e Shqipërisë ishte rreth 50 % e shtetasve me të drejtë vote të përfshirë në listat përfundimtare të zgjedhësve. Kjo pjesëmarrje, ashtu si dhe tani, është vlerësuar pozitivisht.

Pjesëmarrja deri në orën 16:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informoi përmes kryetarit të saj Arben Ristani gjatë një konference për shtyp rezultatet zyrtare të pjesëmarrjes në votime në qarqet e vendit deri në orën 16:00. Sipas deklaratës së tij, në Qarkun Fier pjesëmarrja e votuesve është 38 %, në Berat 45 %, në Shkodër 41 %, Dibër 45 %, Gjirokastër 38 %, Lezha 49 %, Tirana 41%, Korça 35 %, Lezha 34%, Tirana 38 % dhe në Kukës 51%. Ky ka qenë i vetmi informacion zyrtar i paraqitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i prezantuar gjatë ditësh së djeshme. Vetë kryetari Ristani gjatë një dalje për mediet gjysmë ore pas mesnate nuk kishte asnjë informacion zyrtar për pjesëmarrjen. Me hamendje ai vlerësoi se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje mund të kishte arritur rreth 50 %. Dhe pse vlerësoi me kënaqësi një pjesëmarrje të lartë në votim thuajse në të gjitha qarqet e vendit. “Ne si institucion nuk disponojmë ende një informacion zyrtar mbi pjesëmarrjen e zgjedhësve në votime. Nuk është informacion zyrtar, por mund të jetë diku rreth 50-përqindëshit”, - tha Ristani. Nëse është e vërtetë, kjo shifër është e njëjtë me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005.

Çelja dhe mbyllja e votimit

Procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit u mbyll zyrtarisht në kohën e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, gjë që konfirmoi vijueshmërinë e procesit të votimit në të gjitha qendrat e votimit. Sipas Kodit Zgjedhor, hapja e kutive të votimit nisi mëngjesin e sotëm në orën 7:00 dhe u mbyll në orën 19:00 dhe disa në 19:30. Mbyllja në kohë e Qendrave të votimit, duke mos lënë asnjë person pa votuar nuk lë hapësira për dyshime se shumë qytetarë nuk kanë votuar. Këtë e rrëzon pjesëmarrja e lartë e votuesve këtë vit zgjedhor, ku sipas të dhënave zyrtare e vlerësojnë pjesëmarrjen në votimet e sotme në nivele të kënaqshme krahasuar me votimet pasardhëse të 2005-s.

Procesi

Në të gjithë Republikën qytetarët u janë drejtuar rreth 4 751 qendrave të votimit të ngritura në 12 qarqet e vendit. Ndërkohë numri i votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje është rreth 3 milionë e 80 mijë zgjedhës. Ndërkohë votat e tyre do t’i numërojnë grupet e numërimit të votave, të cilat janë ngritur dhe funksionojnë në 66 vende të numërimit të votave. Procesi i votimit dhe ai i numërimit të tyre është vëzhguar dhe do vëzhgohet nga rreth 500 vëzhgues të huaj dhe rreth 5000 vëzhgues shqiptarë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përfundimi i fazës së parë

Në përmbledhjen që i bëri situatës në orën 21:00 numri një i KQZ-së, Ristani, konfirmoi angazhimin e komisionit për të mbyllur me të njëjtin sukses edhe fazën e dytë të procesit, atë të numërimit të votave. Ai konfirmoi në mënyrë absolute se sistemi i kamerave të numërimit të votave është në gatishmëri të plotë, sistem i cili në kohë reale transmeton nga të gjitha VNV-të në KQZ procesin e numërimit. Por sigurisht edhe prania e të gjithë vëzhguesve, si atyre vendas, ashtu dhe të huaj, për kreun e KQZ-së ka qenë një kontribut shumë i madh në favor të transparencës së procesit. “Shprehim bindjen se kontributi i tyre do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim dhe korrektësi dhe gjatë procesit të numërimit të votave”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›