E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit ushtrojnë të drejtën e votës më 28 qershor

29/06/2009  Kreu i KQZ-së informoi se janë shpërndarë mjete të posaçme në të gjitha qendrat e votimit

Ristani: U kemi mundësuar të votojnë pa ndihmën e të tjerëve

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, mohoi çdo mundësi të pengimit të të verbërve për të votuar ditën e zgjedhjeve për parlamentin e ardhshëm zgjedhor. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp në përgjigje të interesit të gazetarëve mbi moslejimin nga komisionarë të të verbërve të ndihmuar nga të tjerët, kujtoi vendimin e KQZ-së. Sipas këtij vendimi, ai theksoi se KQZ-ja ka shpërndarë mjete të posaçme, që u mundëson të verbërve të votojnë edhe vetë pa ndihmën e të tjerëve. “Ata kanë një maskë, siç quhet mjeti i posaçëm, që i ndihmon të verbrit të votojnë vetë. Por edhe nëse ata ndihmohen nga të tjerët për të votuar, kjo gjithashtu nuk është e kundërligjshme”, - tha Ristani. Në vendimin e marrë nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në fillim të muajit qershor, “Për miratimin e përdorimit të mjetit të posaçëm të votimit që mundëson zgjedhësit e verbër për të lexuar fletën e votimit”, u vendos përdorimi i mjetit të posaçëm në çdo qendër votimi (maska), i cili lejon zgjedhësit e verbër për të lexuar fletën e votimit në mënyrë të pavarur. Po ashtu komisioni kryesor i administrimit të zgjedhjeve vendosi blerjen e 5000 copë mjeteve të posaçme (maska), të cilat do të përdoren sipas përcaktimit të mësipërm. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, në nenin 108, pika 8, parashikon detyrimin e KQZ-së për të pajisur komisionet e qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi, të cilat lejojnë zgjedhësit që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur. KQZ-së i lind detyrimi për të pajisur me mjete të posaçme për zgjedhësit e verbër mbi bazën e informacionit që duhet të marrë nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore për numrin e tyre. Duke qenë se ky informacion nuk disponohej nga KQZ-ja në momentin e hartimit të buxhetit dhe të planifikimit të nevojave për bazën materiale zgjedhore, KQZ-ja miratoi përmes këtij vendimi blerjen dhe përdorimin e këtyre mjeteve të posaçme në qendrat e votimit. Zgjedhësi i verbër informohet për mënyrën e përdorimit të mjetit të posaçëm dhe me kërkesën e tij pajiset me to. Nisur nga praktika e zgjedhjeve të vitit 2005, KQZ-ja duhet të vendosë për përdorimin e maskës, e cila është një mjet ku futet fleta e votimit. Ky mjet ka formën dhe përmbajtjen e fletës së votimit, por me alfabetin e përshtatshëm për personat e verbër. Me qëllim realizimin e këtij procesi, çdo qendër votimi duhet të pajiset me një mjet të tillë. Një vendim tjetër i KQZ-së saktëson edhe përdorimin e pajisjeve ndihmëse për të garantuar hyrjen e lirë të zgjedhësve me aftësi të kufizuar në mjediset e qendrave të votimit. Për këtë qëllim ai vendosi përdorimin e pajisjeve ndihmëse, të cilat garantojnë hyrjen e lirë të zgjedhësve me aftësi të kufizuara në mjediset e disa qendrave të votimit, të njësive bashkiake të Tiranës dhe blerjen e 38 copë pajisje ndihmëse.

Votuesit me aftësi të kufizuara

Kodi zgjedhor në nenin 108 të tij përcakton se zgjedhësi që për arsye fizike nuk është në gjendje të kryejë vetë procedurat e votimit, mund të kërkojë ndihmën e një familjari ose zgjedhësi tjetër që është në listën e zgjedhësve të asaj zone të qendrës së votimit. Të dy zgjedhësit duhet të jenë të pranishëm në qendrën e votimit kur përdoret kjo procedurë. Një person mund të ndihmojë vetëm një zgjedhës që nuk mund të votojë vetë.

Të verbrit

Në rastin e zgjedhësve të verbër kryetari i njësisë së qeverisjes vendore njofton KQZ-në për numrin e zgjedhësve të verbër dhe qendrat e tyre të votimit. KQZ-ja, në përputhje me procedurat dhe afatet e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, pajis komisionet e këtyre qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi, të cilat lejojnë zgjedhësit që të lexojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur. Në rast të kundërt, zgjedhësi ndihmohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›