E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia:Transportimi i kutive normal

29/06/2009  TIRANE - Menjëherë pas mbylljes së procesit zgjedhor Policia e Shtetit ka kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të detyrave të saj zgjedhore, që është shoqërimi i kutive me fletët e votimit nga qendrat e votimit për në vendet e numërimit të votave. Policia ka njoftuar se procesi i transportimit të kutive ka filluar pas orës 19:00 dhe ka ecur normalisht pa pasur asnjë incident gjatë rrugës. Sipas Policisë, në të gjitha qarqet janë shoqëruar materialet zgjedhore pranë vendet të numërimit, ku dhe është kryer procesi i numërimit të fletëve të votimit. Policia e Shtetit garanton të gjithë opinionin publik se po vazhdon me seriozitet dhe angazhim maksimal deri në përfundim të këtij procesi.

Tabela për çdo qark

Kukës - 66 kuti

Shkodër - 130 kuti

Lezhë, 120 kuti.

Dibër - 60 kuti

Durrës - 38 kuti

Tiranë - 90 kuti

Elbasan - 176 kuti

Korçë - 146 kuti

Fier - 12 kuti

Berat, 30 kuti

Vlorë - 30

Gjirokastër - 143

Nota pozitive

AFP: Zgjedhjet të lira e të qeta

Agjencia e lajmeve franceze i ka cilësuar zgjedhjet në Shqipëri normale dhe të qeta. “Shqiptarët votuan sot në një proces të qetë zgjedhor, që shënon një përmirësim dhe një hap vendimtar të Shqipërisë”, - kështu i ka konsideruar agjencia e lajmeve “AFP” zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Afro 3,1 milionë votues ishin regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, që konsiderohen si vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit ballkanik. "Procesi zgjedhor zhvillohet pothuajse tre muaj pas anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO dhe ndërkohë ka hedhur hapin e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian me aplikimin për statusin e vendit kandidat. Rezultatet e para zyrtare pritet të bëhen publike nesër", - thekson agjencia.

Këto ishin zgjedhjet e shtata që prej rënies së regjimit stalinist në vitin 1991, ku afro 4000 kandidatë garuan për 140 vende në Parlament.

Agjencia “AFP” ka cituar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, që deklaroi se votimi i sotëm u zhvillua në mënyrë shumë normale. “Pjesëmarrja në qytetet më të mëdha të vendit varionte nga 40 deri në 45 për qind tri orë përpara mbylljes së qendrave të votimit, bëri të ditur Komisioni i Zgjedhjeve", - thekson agjenci franceze e lajmeve.

Rezultati

Procesi i numrit të votave ka nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që KQZ-ja paraqiti edhe rezultatin e parë për një KZAZ. Ndërkohë që informacionet e para parashikohet të dalin në orën 17:00 të ditës së sotme, kjo është sipas parashikimit të Kodit Zgjedhor. Ndryshe nga herët e tjera, rezultatet këtë herë edhe në mënyrë zyrtare pritet të deklarohen më herët në kohë sesa proceset e tjera, të cilat kanë zgjatur dy deri në tre muaj. Kjo për shkak të ankimimeve të shumta, proces i cili duket se do të jetë i kapërcyer në këtë proces, gjatë së cilit parregullsitë u cilësuan periferike. Sipas informacionit të KQZ-së, janë shumë të pakta, rreth 3 qendra votimi të cilat mund të sjellin pavlefshmëri të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›