Ndëshkoni 3 policë, rrahën barbarisht një qytetar
TIRANË- Punonjës të institucionit të Avokatit të Popullit, bëhen dëshmitarë të dhunës së policisë mbi të shoqëruarit. Vetëm pak ditë më parë, ky institucion i ka dërguar një rekomandim zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së shtetit dhe Komisariatit nr.1, për të ndëshkuar me masa disiplinore tre punonjës policie. Sipas Avokatit të Popullit, një nga punonjësit e këtij institucioni është bërë dëshmitar okular i një ngjarjeje të ndodhur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë. “Rreth orës 15.45 të datës 24 shtator të këtij viti, një makinë e policisë solli në oborrin e komisariatit një qytetar të prangosur. Pasi e zbritën nga makina e policisë i shoqëruar nga dy policë, ai ra pre e dhunës fizike barbare të një punonjësi tjetër policie, i cili e goditi disa herë me shkop gome në pjesë të ndryshme të trupit. Në rastin konkret dhe në momentin e dhunimit, shtetasi i shoqëruar nuk po bënte asnjë lloj rezistence ndaj punonjësve të policisë” thuhej në rekomandim. Sipas Avokatit të Popullit, nuk ishte e nevojshme asnjë lloj përdorimi të forcës nga punonjësi i policisë dhe as ushtrimi i dhunës ndaj tij. Shqetësues në këtë ngjarje ishte edhe fakti, se megjithëse në momentin e keqtrajtimit fizik të qytetarit ishin prezent shumë punonjës të policisë në oborrin e Komisariatit të Policisë Nr. 1,asnjëri prej tyre nuk ndërhyri për të parandaluar sjelljen brutale, çnjerëzore e të kundërligjshme të kolegut të tyre. “Masat disiplinore të komunikohen në prani të efektivit me qëllim që të parandalohen shkelje të tilla në të ardhmen. Të organizoni më mirë punën me strukturat tuaja vartëse për njohjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Të informohen efektivat e policisë për institucionet kushtetuese dhe ligjore që kryejnë misionin fisnik të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Të ushtroni në mënyrë të vazhdueshme kontroll ndaj vartësve tuaj lidhur me zbatimin e detyrimeve ligjore për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar nga punonjësit e policisë”, ishte rekomandimi i Avokatit të Popullit adresuar zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.