E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos në burg, 270 të dënuar në grevë urie

 

Organizatorët janë vendosur në izolim dhe të dënuarit e tjerë janë hedhur menjëherë në protesta duke refuzuar ushqimin

TIRANË- Revolta e pesë ditëve më parë në burgun e Fushë-Krujës nga të dënuarit e këtij institucioni, është bërë shkak që “organizatorët” e kësaj rrëmuje të futen në dhomat e izolimit që nga dita e diel. Sipas burimeve të rezervuara nga ky institucion i vuajtjes së dënimit, mësohet se Gazmend Brraka i njohur ndryshe si Gaxhai, Ymer Tafili, Gëzim Cafi dhe Frederik Durda, bashkë me disa bashkëvuajtës të tjerë, prej ditës së diel ndodhen në qelitë e izolimit, për ndëshkim të dhënë nga drejtuesit e burgut pasi konsideroheshin si iniciatorët e kësaj revolte disa orëshe në burgun e Fushë–Krujës.

Në të njëjtën kohë, mësohet se nga ky institucion për në Burgun e Tepelenës janë transferuar si masë ndëshkuese edhe të dënuarit Genci Tafili, Pashk Lleshi e Lavdërim Tufa, që për drejtorin e burgjeve janë pjesë e grupit iniciues. Ndërkohë, këto masa ekstreme të marra nga institucioni i burgut, i kanë shtyrë të dënuarit e tjerë të shprehin solidarizimin me to, duke refuzuar ushqimet e burgut që nga dita e premte ndërsa që nga dita e djeshme edhe hyrjen në grevë urie. “Rreth 270 të dënuar, që ndodhen në sektorin e sigurisë së lartë dhe disa të dënuar të sigurisë së zakonshme, prej ditës së djeshme kanë nënshkruar deklaratën e grevës së urisë, duke nxjerrë nga qelia frigoriferët dhe ushqimet e sjella nga familjet e tyre për shkak të këtyre masave ekstreme”,-thuhet nga burimet brenda burgut. Gjithashtu, këta të dënuar kanë renditur një sërë kërkesash që ia kanë drejtuar tashmë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në Tiranë, të cilët sipas të dënuarve që kanë telefonuar pranë redaksisë “Shekulli” kërkesat janë injoruar nga drejtuesit e burgut të Fushë-Krujës. Ndërsa, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka refuzuar zyrtarisht se një gjë e tillë ka ndodhur në burgun e Fushë-Krujës. “Gjendja është e qetë në këtë institucion dhe nuk ka asnjë kërkesë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nuk ka të dënuar që kanë hyrë në grevë urie”,-tha Blerina Marini, zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve. Sipas burimeve nga burgu, mësohet se greva ka filluar me refuzimin nga ana e të dënuarve të tre vakteve që shërbehen nga administrata e burgut, duke vazhduar gjatë ditës së djeshme me heqjen e frigoriferëve dhe ushqimeve të sjella nga familja nga 45 qelitë, 21 të seksionit të sigurisë së lartë dhe 24 të sigurisë së zakonshme. “Të dënuarit pretendojnë që koha e ajrimit të shtohet nga dy në tre orë në ditë. Dyert duhet të lihen hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16 të pasdites. Të përmirësohen kushtet e pritjes së familjarëve të tyre jashtë institucionit. Kërkojmë, shtimin e personelit të kontrollit të ushqimeve të sjella nga familja, pasi ata presin shumë gjatë deri në futjen e ushqimeve si dhe të krijohet një ambient për pritjen e tyre. Gjithashtu, kërkohet të hiqen xhamat tek ambienti i takimeve, pasi kjo shkakton një konfuzion tek të dyja palët”,-thuhet nga lista e kërkesave të këtyre të dënuarve. Duke shtuar se problem mjaft shqetësues janë edhe lejet e dhëna për të dënuarit, që sipas tyre nga autoritetet e burgut nuk respektohen dhënia e lejeve sipas ligjit dhe rregullores. “Deri më tani në këtë burg janë dhënë vetëm dy leje dhe këto për çështje fatkeqësie”. Sipas tyre, ambientet sportive mungojnë, duke u ankuar se aty nuk zhvillohet asnjë aktivitet sportiv duke kaluar ditën në një monotoni totale. Energjia elektrike edhe uji, sipas kërkesave të dënuarve janë dy nga çështjet më minimale që duhet të plotësojë një burg. Megjithatë edhe këto të funditmungojnë shpesh në burgun e Fushë – Krujës. Të dënuarit kërkojnë që të bëjnë dush ditë për ditë dhe jo një herë në javë. Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, mësohet se në burgun më të ri në vend vuajnë dënimin 200 të dënuar në seksionin sigurisë së lartë dhe 380 të tjerë në sektorin e sigurisë së zakonshëm.

KËRKESAT:

Koha e ajrimit të shtohet nga dy në tre orë në ditë

Dyert duhet të lihen hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16 të pasdites

Shtimi i personelit të kontrollit të familjarëve, duke qenë se ata presin shumë gjatë, tre deri në katër orë

Të krijohet një ambient për pritjen e familjarëve pasi ata presin në mes të rrugës

Të hiqen xhamat tek ambienti i takimeve

Nuk respektohet dhënia e lejeve sipas ligjit dhe rregullores, deri më tani në këtë burg janë dhënë vetëm dy leje dhe këto për çështje fatkeqësie

Ambientet sportive mungojnë totalisht

Të rregullohet energjia elektrike dhe uji

Të bëhet dush ditë për ditë dhe jo një herë në javë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›