E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos kushëririn, prangoset pas 4 vjetësh i riu korçar

Kërkohej për tentativë vrasjeje, prangoset nga policia e Gjirokastrës një 30-vjeçar nga Korça. Burime nga Drejtoria e Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se paraditen e djeshme, rreth orës 11.00 min është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i 30-vjeçarit Gëzim Rizvani, lindur dhe banues në lagjen nr.6 të Korçës. Të njëjtat burime referojnë se arrestimi i Rizvanit, është bërë pasi Kolegji i Gjykatës së Lartë në Tiranë e ka dënuar më datë 26 qershor të vitit 2008, me 5 vjet burg për veprën penale të "Vrasjes me dashje mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake". 30-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Rrethit të Gjirokastrës qysh prej datës 8 qershor të këtij viti, por uniformat blu gjirokastrite kanë bërë të mundur ndalimin e tij vetëm dje paradite. Dy ditë më parë ai kishte ardhur të takonte familjen e tij rome, gjë që ka mundësuar ndalimin e tij në një lokal në lagjen 18 të qytetit. Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë, Rizani, në datën 12 nëntor të vitit 2005, në vendin e quajtur "Ura e Lumit" në Gjirokastër, diku pranë çadrave ku banojnë disa familje romësh të ardhura nga Korça, është konfliktuar për motive të dobëta me kushëririn e tij të parë, E.Q. Konflikti mes tyre ka degjeneruar në rrahje me grushte dhe më pas 30-vjeçari ka marrë një armë zjarri të tipit Kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të kushëririt, duke e plagosur atë rëndë dhe vetë është larguar dhe armën e ka hedhur në lum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›