E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rindizet mali i Soronesë, digjen 700 ha kullotë

Nuk vonon të regjistrohet zjarri i 71-të për këtë vit në rajonin e Sarandës. Mali i Soronesë, në afërsi të Butrintit në Sarandë, është përfshirë nga flakët e zjarrit mbrëmjen e së enjtes. Shërbimi zjarrfikës është gjendur brenda pak kohe në vendngjarje dhe ka nisur të operojë me tre automjetet e veta, me gjithë terrenin tepër të vështirë që paraqet mali i Soronesë. Zjarrfikësit kanë kryer disa ndërhyrje, por kanë humbur edhe shumë kohë, pasi burimet e ujit për rimbushjen e depozitave të zjarrfikëseve kanë qenë 10 km larg vatrës së zjarrit. Përpjekjet për shuarjen e flakëve kanë zgjatur mbi 12 orë pa ndërprerje, duke bërë disa ndërhyrje të përsëritura e duke derdhur mbi të 6 bote ujë. Mësohet se zjarri ka rrezikuar antenat e disa kanaleve televizive, të instaluara në Sorone, të cilat janë shpëtuar, pas izolimit që i është bërë zjarrit, duke mos lejuar zgjerimin e rrezes së tij. Gjithsesi, dëmi i regjistruar paraprakisht ka qenë djegia e rreth 700 ha kullotë. Zjarrfikësit janë larguar rreth orës 07.00 të mëngjesit të djeshëm, duke menduar se çdo gjë ishte normalizuar, por me t‘u larguar ata, është identifikuar ndezja e disa vatrave të vogla, në dukje të padëmshme. Rënia e zjarrit në Malin e Soronesë është një histori që përsëritet çdo verë. Vite më parë atje janë gjetur të djegura edhe bagëti e kafshë të egra, pasi pylli i Soronesë ka qenë strofull e sigurt e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›