Bulqizë, 20 shtëpi në rrezik nga rrëshqitjet
BULQIZE - Të paktën 20 shtëpi banimi në komunën e Fushë-Bulqizës janë në rrezik shembjeje për shkak të rrëshqitjes së tokës. Drejtuesit vendorë sqarojnë se ato janë gati të pabanueshme dhe se jeta e banorëve që nuk kanë një strehë tjetër mund të vihet në rrezik. Dy shtëpi në fshatin Koçaj dhe një tjetër në Dushaj janë rrafshuar, ndërkohë të tjera mund të bien në çdo moment. Muret, tavanet, çatitë dhe gjithçka tjetër është dëmtuar. Të çarat në disa shtëpi arrijnë mbi 20 cm, ndërkohë trualli po rrëshqet çdo ditë. Ibrahim Lika tha për gazetën se ai dhe 11 pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre kanë parë tmerrin me sy kur pak net më parë shtëpia ka nisur të rrëshqasë. “Jemi tronditur rëndë kur konstatuam se pak pas mesnate shtëpia nisi të rrëshqasë. Uji u fut brenda dhe menjëherë kam larguar njerëzit nga shtëpia. Nuk kisha rrugë tjetër. Aktualisht fëmijët i kam sistemuar tek fqinjët”, tha Lika. Me të njëjtin shqetësim shprehet dhe kryeplaku i këtij fshati i cili kërkon ndihmë nga shteti pasi banorët janë në qiell të hapur dhe halli i ka detyruar t’i braktisin shtëpitë e banimit. Lahim Deda, nënvizoi se komuna, këshilli i qarkut dhe Ministria e Brendshme duhet të vlerësojnë dëmet e shkaktuara dhe më pastaj të merren masa për kompensimin e këtyre familjeve të dëmtuara. h.p