E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm në jug, shpërthen boti me naftë



GJIROKASTER/ PIRO NASE

Shpërthimi i zjarrit në një bot me naftë tronditi dje banorët e jugut mëngjesin e djeshëm. Mjeti që transportonte karburant mori flakë papritur gjatë rrugëtimit në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Për gati 60 minuta është bllokuar qarkullimi i mjeteve në këtë aks rreth 17 km në veri të qytetit të Gjirokastrës, në zonën e njohur si “ura e Subashit”. Fatmirësisht, nuk pati asnjë të lënduar nga kjo ngjarje. Autoboti i mbushur me naftë me targa TR 6344 H, pronë e shoqërisë “Braka shpk”, udhëtonte në drejtim të Gjirokastrës për të furnizuar me karburant një qendër të shitjes me pakicë. Mjeti është batuar në krahun e majtë dhe menjëherë nga një shkëndijë e provokuar në qarkun elektrik, karburanti i dalë nga depozita ka marrë flakë me shpejtësi. Drejtuesi i automjetit Dritan Ahi, 37 vjeç nga Tirana, në orën 10:00 ka lajmëruar me urgjencë sallën operative të Policisë së Gjirokastrës për këtë ngjarje dhe menjëherë forcat e policisë kanë shkuar në vend, së bashku me Repartin Zjarrfikës. Drejtuesi i automjetit ka mundur të dalë nga mjeti pa pësuar dëmtime fizike, ndërsa automjeti është përfshirë i gjithi nga flakët në mes të rrugës. Forcat e Policisë së Gjirokastrës, morën masa duke bllokuar trafikun dhe rrethuar zonën në një perimetër të konsiderueshëm, si pasojë e rrezikshmërisë që paraqiste boti në rast se do të shpërthente. Flakët janë shpërndarë në një sipërfaqe të madhe çka komplikoi edhe më tej situatën në mesditë në aksin nacional veri-jug. Ndërhyrja efektive e dy automjeteve të Repartit Zjarrfikës të Gjirokastrës, si dhe më vonë edhe e një zjarrfikëseje të Tepelenës, kanë mundur të vënë nën kontroll situatën pas 30 minutash, duke shmangur plotësisht shpërthimin e autobotit. Flakët shkatërruese kanë djegur masivisht makinën si dhe sasinë e lëndës djegëse, ndërsa nuk kanë shënuar dëmtime të tjera te makinat apo njerëzit që po qarkullonin.
Në orën 11:00, qarkullimi i mjeteve në të dy krahët e rrugës vazhdoi normalisht. Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “Panorama” tek grupi hetimor i ngritur me këtë rast, në përfundim të veprimeve u konstatua se shkak i batimit të mjetit dhe më pas përfshirja nga flakët është bërë një defekt teknik në sistemin e drejtimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›