Shkodër, qytetarët në radhë të gjata për pasaporta e karta
SHKODER - Minimizimi i sporteleve në zyrën e aplikimit të pasaportave biometrike dhe të kartave të identitetit shton radhët e qytetarëve në Shkodër. Nga 12 punonjës që ishin vitin e kaluar, aktualisht në këtë zyrë punojnë vetëm katër persona. Por ditët e fundit, tre prej tyre kanë marrë lejen e zakonshme duke e lënë zyrën vetëm me një punonjës. Gjatë këtyre ditëve, fluksi i qytetarëve është shtuar ndjeshëm. Megjithëse tani nuk është periudha e ardhjes së emigrantëve, radhët vijojnë të jenë evidente. Në ndërtesën ku janë vendosur sportelet e aplikimit për pajisje me pasaporta dhe karta identiteti përballesh me një numër të madh qytetarësh, të cilët kanë qëndruar në radhë për disa orë. Prania e vetëm një punonjëseje e bën të pamundur që ajo e vetme të menaxhojë të gjithë fluksin e njerëzve. Shumë prej tyre, ndonëse rrinë në radhë gjithë ditën, ndodh që kur arrijnë kontaktin me punonjësen të marrin edhe përgjigjen se karta e tyre ende nuk është prodhuar. “Merret me mend se si ndjehen ata persona që kanë lënë edhe ditën e punës. Karta iu duhet se ua kërkojnë në konsullatë për të paguar taksat e makinës apo dhe në institucione të tjera”, u shpreh Bajrami, një nga qytetarët e shumtë i cili ka qëndruar për orë të tëra në radhë. Por edhe pse ka dy muaj që ka aplikuar, ai mori si përgjigje se karta e tij ende nuk ishte gati. Bashkia e Shkodrës i ka kërkuar disa herë firmës përkatëse që të marrë masa për lehtësim të këtij procesi, por duke qenë se marrëdhëniet me këtë firmë i ka lidhur vetë Ministria e Brendshme, Bashkia duket se ndjehet e pafuqishme ndaj një procesi të tillë. r.d