E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kreu i OMONIA-s, abuzime me vizat”



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Konflikt në zyrën e OMONIA-s së Korçës nga përplasja e dy pretendentëve për postin e kryetarit.Akuzat se ka abuzuar me detyrën duke pajisur persona me viza greke për qëllime fitimi kanë çuar në shkarkimin e kryetarit Spiro Liçi, dhe zëvendësimin e tij nga Naum Disho. Pikërisht ky zëvendësim ka sjellë jo vetëm konfliktin mes palëve në degën e OMONIA-s, por ka zbuluar edhe një skandal për nxjerrjen e vizave greke. Paraditen e së hënës, ndërsa përpiqej që të largonte nga zyra e tij dokumentacionin dhe pajisjet, Spiro Liçi ka ndeshur në qëndrimin e palës tjetër për të mos larguar asgjë nga zyra. Në zyrat e OMONIA-s në Korçë është krijuar një situatë sherri, për shuarjen e së cilës është dashur edhe ndërhyrja e forcave të rendit që të shmanget përplasja fizike mës palëve. Disa persona të përfshirë në grindje, në zyrat e OMONIA-s në Korçë janë shoqëruar në komisariat, pasi shkëmbyen grushte e fyerje midis tyre.
Shkak i këtij konflikti është bërë një shkresë zyrtare nga Konsullata e Përgjithshme Greke në Korçë, sipas të cilës sugjerohet largimi i kryetarit Spiro Liçi, pasi ky i fundit ka abuzuar me nxjerrjen e vizave greke. Ky njoftim zyrtar i konsullatës ka krijuar dy grupime në degën e OMONIA-s në Korçë, si dhe mbështetës ndaj dy pretendentëve për kryetar. Ndonëse shkresa është dërguar që më 11 mars, largimi i Spiro Liçit ishte vendosur të kryhej me anë të një mbledhjeje të degës të caktuar për orën 16.00 të ditës së djeshme. Por që paradite, rreth orës 10.00 Liçi ka tentuar të largojë dokumentacionin dhe pajisjet, gjë që ka sjellë konfliktin me personin që pritej ta zëvendësonte, Naum Dishon. Në momentin kur Liçi ka nisur të tërheqë nga zyra vulën e degës, si dhe dokumentet, ai është konfrontuar me pretendentin për kryetar dhe dëshmitarët që ndodheshin aty. Menjëherë Disho kërkoi ndihmën e policisë. Pas kësaj ngjarjeje, Disho ka reaguar publikisht, duke u shprehur se, largimi i kryetarit tjetër lidhet me ankesa të ndryshme për abuzimin e tij në detyrë. “Ka pasur ankesa që kanë ardhur nga ana e qytetarëve të Korçës ndaj kryetarit të OMONIA-s për abuzime. Madje ka dokumente kompromentuese që tregojnë abuzime të rënda nga ana e tij. Këto ankesa dëshmojnë se Spiro Lici kërkonte para kundrejt shpërblimit për nxjerrjen e vizave greke”, deklaroi Naum Disho. Sipas tij, mbi bazën e këtyre ankesave është vënë në dijeni Konsullata e Përgjithshme Greke në Korçë, e cila pasi ka konstatuar abuzime jo vetëm me viza nga ana e kryetarit Spiro Liçi, është përgjigjur me një shkresë zyrtare për degën e OMONIA-s. “Ne ngritëm një komision dhe do të bënim shkarkimin e kryetarit dhe zëvendësimin e tij, por ai u paraqit në zyrë për të marrë materialet, ndërsa ne e bllokuam pasi sinjalizuam policinë”, shprehet Naum Disho. Sipas konsullatës greke, Liçi, akuzohet se ka marrë para për fëmijët që dërgonte me pushime në konvikte në Greqi, si dhe për personat që i pajiste me viza greke. Sipas të njëjtit deklarim, prej të paktën 6 muajsh Spiro Liçi ka paraqitur dokumente false për persona që kërkonin pajisjen me viza greke, ndërsa ndihmat e ardhura falas nga vendi fqinj i shiste. Por akuza më e rëndë për Liçin nga ana e Konsullatës, vjen me atë se ai është interesuar për pajisjen me viza të personave që ishin të kërkuar nga Interpoli dhe që synonin largimin për në Greqi. Të gjitha këto akuza, të cilat për disa ditë mbetën në zyrat e OMONIA-s, për t’u bërë publike vetëm dje, tashmë do të hetohen dhe nga ana e policisë.

Liçi: Nuk qëndrojnë akuzat

Nga ana e tij, Spiro Liçi e cilëson të padrejtë ndërhyrjen e konsullatës në OMONIA-n e Korçës. “Në asnjë pikë në statut nuk njihet emërimi apo shkarkimi i kryetarit nga konsullata”, thotë Liçi, ndërsa shton se i është drejtuar me ankesë edhe kreut të organizatës, Vasil Bollano. “Se çfarë interesash luhen nuk e di, por pretendimet që ngrihen ndaj meje nuk qëndrojnë”, u shpreh dje Liçi. Nga njëra anë, grupimi që është kundër tij pretendon se ai gjatë dy viteve të drejtimit të OMONIA-s në Korçë ka kryer abuzime të shumta, ndërsa Liçi shprehet se ka interesa të tjera për largimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›