E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos me armë rojën e diskos, dështojnë tre komisariate në kapjen e tij



SARANDË – Një 19-vjeçar ka plagosur me armë punonjësin e sigurisë së një diskoje në Sarandë, ka kërcënuar një tjetër dhe ka tentuar që të shtypë 5 punonjës policie, ndërsa këto të fundit nuk kanë qenë në gjendje që të prangosin autorin e kësaj ngjarje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se është shpallur në kërkim shtetasi Rades Musaj, lindur dhe banues në qytetin e Sarandës. Ai ka kryer një plagosje me armë, të cilën e mbante pa leje, të mërkurën, rreth orës 02.00 në diskon me emrin A....._, e cila ndodhet në lagjen NR. 4 të qytetit jugor, fare pranë banesës së autorit të krimit. I riu ka arritur t’iu shmanget të gjitha postblloqve të policisë, madje, ka rrezikuar edhe jetën e 5 forcave të rendit, të cilat kishin dalë për ta kapur atë në orët e pasdites së dy ditëve më parë. Megjithëse në operacionin për kapjen e tij janë angazhuar tre komisariate, ai ka arritur t’i shpëtojë prangosjes.
Ngjarja
Rades Musai ka qenë nën shoqërinë e miqve në Disko “Af....”, e cila ndodhet vetëm pak metra larg banesës së tij në lagjen Nr. 4 në Sarandë. Rreth orës 2.00 të ditës së mërkurë, nën efektin e alkoolit, ai ka shkëmbyer fjalë me rojet e sigurisë së lokalit të natës, pasi ata i tërhoqën vëmendje për sjellje të pahijshme. Pikërisht në këtë moment 19 vjeçari është ndeshur fizikisht me dy punonjësit e “Disko Af....”. Së fundmi, ai ka nxjerrë pistoletën tip “TT”, të cilën e mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të punonjësit të lokalit, shtetasit Odisea Çavo. Ky i fundit ka marrë një plagë të rëndë në kofshë. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit “Stefan Mekshi” në qytetin e Sarandës. Mjekët thonë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I lënduari ka marrë vetëm një plumb në kofshë dhe operacioni për nxjerrjen e tij ka përfunduar me sukses. Musaj ka kërcënuar me armë edhe rojën tjetër, por nuk ka pasur më kohë, pasi ndihej i rrezikuar se do të kapej dhe është larguar menjëherë nga lokali.
Kërkimi
Sapo është marrë informacioni nga policia, janë aktivizuar tre komisariate për kapjen e tij. “Lidhur me këtë ngjarje është kërkuar ndihma e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës dhe Fierit, të cilat kanë ngritur një postbllok në vendin e quajtur “Rrepet” në qytetin e Fierit”, u shpreh një zytar i komisariatit të Sarandës. Ai bën të ditur se “rreth orës 16.00 të ditës së mërkurë, Musaj është pikasur nga postblloku, por 19-vjeçari ka shtuar shpejtësinë dhe ka tentuar të shtypë pesë efektivat e policisë së Fierit”. Aktualisht, 19-vjeçari Musaj është shpallur person në kërkim dhe ndaj tij rëndojnë akuzat e “vrasjes së mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë me dashje”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “kundërshtim të forcave të rendit”. Tre komisariatet e policisë vazhdojnë kontrollin për kapjen e tij.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›