Tre të plagosur në akset rrugore, zhduken shkaktarët e aksidenteve
Tre persona janë plagosur në dy aksidente të ndodhura në Shkodër dhe Elbasan, ndërkohë që shkaktarët janë larguar nga vendngjarjet. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditën e enjte, rreth orës 01.00, në vendin e quajtur lagja Perash, në afërsi të shkollës së Ndërtimit, të qytetit të Shkodrës, një automjet akoma i paidentifikuar ka aksidentuar shtetasen Suzana Hurmi, 35 vjeçe, banuese në fshatin Bardhaj, dhe vajzën e saj 9-vjeçare S. Hurmi. Automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes. Dy shtetaset janë dërguar në spitalin Rajonal të Shkodrës. Suzana Hurmi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa vajza e saj është jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për kapjen e shkaktarit të aksidentit.
Edhe në aksin rrugor Cërrik-Belsh ka ndodhur një aksident i ngjashëm, ku drejtuesi i mjetit, pasi ka plagosur një 37-vjeçare është zhdukur nga vendi i aksidentit. Ngjarja ndodhi rreth orës 21.00 të mbrëmjes së mërkurë. Një makinë me targa greke ka aksidentuar 36- vjeçaren A.L, lindur dhe banuese në fshatin Shalës e më pas mjeti është larguar nga vendi i ngjarjes. E aksidentuara është dërguar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku edhe po kurohet, pasi ka marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Grupi hetimor, së bashku me shërbimet përkatëse të policisë, po punojnë për identifikimin e mjetit dhe kapjen e autorit të aksidentit. Gjatë tre ditëve të fundit janë shënuar një sërë aksidentesh, ku protagonistë të tyre në shumicën e rasteve janë mjete me targa të huaja.
8 Gusht 2008