Rreth 20 të ndaluar për tritolin në Velipojë
VELIPOJË – Megjithëse janë ndaluar të paktën 20 persona, ende nuk është gjetur autori i vënies së tritolit në banesën e Gjovalin Zekës. Policia e Shkodrës akoma nuk ka identifikuar personin që vuri lëndën plasëse në banesën e Zekaj, në Sektor Velipojë tre ditë më parë. Policia ka bërë të ditur se ndërsa hetimet vazhdojnë, janë shoqëruar në komisariat rreth 20 persona, të cilët janë marrë në pyetje për të dhënë sqarime lidhur me këtë ngjarje. “Mendohet se lënda plasëse e vendosur pranë banesës së 54-vjeçarit Gjovalin Zekaj ka qenë e llojit tritol dhe nisur nga të dhënat e ekspertizës së bërë ajo ka qenë në një sasi rreth 60 gram”- thonë burimet e policisë së Shkodrës. Mësohet se mes të shoqëruarve në polici për këtë çështje kanë qenë dhe persona të afërm dhe familjarë të ish kryetarit të komunës së Velipojës, Dedë Kaçi, të cilët para 2 vitesh e kishin kërcënuar Zekajn. Kjo, sepse pas denoncimit të Zekajt për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Dedë Kaçaj u arrestua, por më pas me vendim gjykate doli i pafajshëm. Të gjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë, pasi për asnjërin policia nuk ka gjetur prova të mjaftueshme të implikimit të tyre në vënien e lëndës plasëse pranë banesës së Gjovalin Zekajt.
Prangoset biznesmeni, falsifikoi dokumentet e tenderit
KORÇË - Një biznesmen korçar u arrestua nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve me qëllim që të përfitonte nga një tender i zhvilluar në Drejtorinë e policisë së Korçës. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "Artan Lavdari, 42 vjeç, me detyrë administrator i firmës "Tani shpk", u paraqit në tenderin për shitje të gomave të drejtorisë rajonale të policisë, por nga verifikimet rezultoi se kishte falsifikuar një dokument të zyrës së përmbarimit”. Pas kësaj, zyra rajonale e Luftës kundër Krimit Ekonomik vendosi dje arrestimin në flagrancë të biznesmenit korçar. 42-vjeçari Lavdari ndodhet në mjediset e paraburgimit të komisariatit të policisë dhe ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
8 Gusht 2008