E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos me thikë 2 shtetas, babë e bir

26/06/2009  Për motive të dobëta, arrestohet 22-vjeçari

FIER- Ka tentuar të vrasë me thikë 2 shtetas babë e bir në grindje e sipër për motive të dobëta, por është arrestuar nga policia fierake. Ka qenë ora 10 e ditës së djeshme kur forcat e policisë së komisariatit të Fierit kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Julian M. 22 vjeç banues në fshatin Drizë të Fierit. Arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 20 të mbrëmjes së djeshme në konflikt e sipër për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin L.M 22 vjeç dhe ka plagosur lehtë po me thikë shtetasin P.M 49 vjeç, babai i të lënduarit. Shtetasi 22-vjeçar është shtruar në spitalin civil të Fierit dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babai i tij P.M pasi ka marrë mjekimin ambulator është shoqëruar për në banesën e tij. E gjithë grindja mësohet të ketë ndodhur për motive të dobëta dhe zanafilla ka qenë konflikti mes dy të rinjve. Më pas ka ndërhyrë babai i viktimës, i cili ka tentuar qetësimin e gjakrave, por ka mbetur dhe vetë i lënduar. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Fier për veprat penale të “vrasjes me dashje të ngelur në tentativë” dhe “plagosjes së lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 76.22 dhe 89 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Julian M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›